Ditët e fundit ka pasur shumë shqetësim te drejtuesit e Klubit të Futbollit Kamza, për faktin se sipas tyre, duket sikur të gjithë po luftojnë kundër saj, me synimin për të shpëtuar Vllazninë.

Në këtë linjë, sipas Kamzës, është edhe përzgjedhja e arbitrit të sotëm, sepse do të arbitrojë Eldorjan Hamiti. Për Kamzën ky arbitër është përzgjedhur enkas, pasi lezhjani është pjesë e një skenari për të dënuar atë.

“Arbitri Hamiti që disa javë më parë na masakroi në Korçë vjen sërish të na arbitrojë ndaj Laçit…

Hamiti nga Lezha, komshi i shkodranëve, duhet të kalojë nga Laçi që të mbërrijë në Tirane që të na arbitrojë ne. Janë thurur skenarë të zinj ndaj Kamzës. Por Kamza luan në fushe dhe s’merret me matrapazët drejtues nga Shkodra që kujtojnë se blihemi me para.

Respekt për sportdashësit e vërtetë shkodranë, por jo për sekserët që e shkatërruan ekipin e tyre e tani duan të bëjnë të njëjtën gjë me ekipin tonë.

Me ne krye Grimën, hajdutin me çizme që ndër vite ka bërë pazare me portën e tij, kanë ofruar leke për të blerë lojtarët tanë. Por nëse Grima shitet me para dhe ka një çmim, Kamza nuk ka çmim dhe është e pashitshme.

Ftojmë tifozët te na përkrahin.”

Klubi i Futbollit Vllaznia ka reaguar përmes një deklarate për mediat lidhur me akuzat që Klubi i Futbollit Kamza ka hedhur.

Akuza të forta vijnë në drejtim të kuqebluve. Ndër to, Kamza shprehet se janë thurur skenarë të zinj.

KF Vllaznia është i detyruar të reagojë pas akuzave të shpërndara nga FK Kamza, të cilat cënojnë rëndë imazhin e Klubit dhe të futbollit shkodran.

Asnjëherë nuk kemi dashur të merremi me të tilla deklarata dhe gjithmonë i kemi injoruar. Por reagimet nga FK Kamza prej 6- muajsh, nuk kanë qenë aspak të hijshme me deklarata të qëllimshme të drejtuesve të saj duke anatemuar gjithnjë Vllazninë.

Kjo nuk është aspak e drejtë sepse Klubi ynë nuk është marrë asnjëherë me kundërshtarët. Deklarata e fundit e bërë mbrëmbjen e djeshme, është shumë e rëndë.

Të gjithë e dinë që KF Vllaznia është një klub që funksionon me buxhet të miratuar nga Bashkia Shkodër dhe tentativa të tilla, siç thotë klubi i Kamzës, as nuk mund të mendohen.

Përpos të gjithë këtyre gjërave, ajo që na habit është se FK Kamza që një natë para ndeshjes së saj, e di kush është arbitri!

Si ka mundësi një gjë e tillë kur askush nuk e di emrin e arbitrit përveç kamzalinjëve? Si ka mundësi që Hamiti konsiderohet “komshi i shkodranëve” nga drejtuesit e Kamzës ndërkohë që ai është shpallur “non grata” prej javësh nga Vllaznia!

KF Vllaznia i bën thirrje publike drejtuesve të Kamzës të ndalin gjuhën e shpifjeve dhe trillimeve të nisura prej javësh dhe të shohin punën e tyre sepse kjo nuk është në të mirën e futbollit shqiptar, nuk është në të mirën e dy qyteteve.
KF Vllaznia

Artikulli paraprak“JAVA E FAMILJES’, VIJOJNË AKTIVITETET
Artikulli tjetërATLETËT E VLLAZNISË “RRËMBEJNË” NJË TJETËR TITULL