Në përgjigje të akuzave të përfaqësuesve të Partisë Demokratike, Instituti i Shëndetit Publik ka reaguar duke u kundërpërgjigjur ndërsa ka hedhur poshtë çdo pretendim për mungesë tamponësh.

ISHP ka sqaruar se janë rreth 90 mijë teste të disponueshme për t’iu përgjigjur situatës së krijuar nga COVID-19. Sipas këtij institucioni, në këtë situatë nuk duhet të bëhet politikë me koronavirusin.

“Instituti i Shëndetit Publik vijon të jetë 24 orë në 7 ditë të javës në përgjigje të nevojave nga i gjithë vendi për testimet në kohë të qytetarëve të dyshuar, sipas hetimit epidemiologjik që kryhet në terren nga epidemiologët. Aktualisht kemi rreth 90 mijë teste në dispozicion dhe laboratori i ISHP vijon të furnizohet pa ndërprerje. Stafi i ISHP-së po punon 24 orë pa ndërprerje që nga fillimi i epidemisë, për të nxjerrë sa më shpejt në kohë përgjigjet për të gjitha rastet e dyshuar si të prekur nga COVID-19.

I bëjmë thirrje PD dhe çdo force politike, të mos bëjnë politikë me COVID-19 dhe të mos cënojnë punën e një ekipi të tërë të shëndetësisë, që janë në krye te detyrës për përballimin e situatës, por t’i bashkohen përpjekje për të rritur ndërgjegjësimin e qytetarëve për respektimin e rregullave të distancimit fizik, vendosjes së maskës dhe ruajtjes së higjienës”, thuhet në deklaratë.