Deputeti demokrat Ervin Salianji do të dëshmojë sot në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për akuzat ndaj vëllait të Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka thirrur për të dëshmuar deputetin e PD për t’u paraqitur sot në orën 09:30. Fletëthirrja e Prokurorisë është firmosur nga prokurorët Gentian Osmani dhe Përparim Kulluri.

Thirrja e ligjvënësit demokrat në Prokurori vjen menjëherë pas mbërritjes së përgjigjes së ekspertizës nga Britania e Madhe për çështjen e bisedës që pretendohet se është zhvilluar mes Agron Xhafes dhe Albert Veliut i njohur si dëshmitari X ose ‘Babalja’.

Ndërkohë në një reagim pas thirrjes nga Prokuroria, Salianji deklaroi se PD është e vendosur që të shkëpusë lidhjet e qeverisë me krimin, në çdo formë. Ai bëri të ditur se do të jetë sot në orën 9:30, në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për t’u marrë në pyetje.