Dy vëllezërit indianë Nitin Sandesara dhe Chetan Sandesara, që morën shtetësinë shqiptare vitin e kaluar dhe që u përfolën në media, se ishin persona të kërkuar për mashtrim kanë reaguar përmes kompanisë në Tiranë për të sqaruar të vërtetën e gjithë historisë sipas versionit të tyre.

Kompania thotë se grupi Sandesara ka një prani të madhe të biznesit në mbi 75 vende në botë. Në njoftim theksohet se në 2017 janë hetuar në Indi për mashtrim dhe pastrim parash, por me qëllime politike, ndërsa shtojnë se sipas tyre asgjë nuk është provuar dhe gjithcka është dashakeqe.

“Në vitin 2017 ekzistonte një hetim i dyshimtë për mashtrimet e bankare për kompanitë tona indiane, të hetura nga agjencitë e Qeverisë së Indisë vetëm për qëllime politike. Ky mashtrim bankar i dyshuar gjithashtu është cilësuar si pastrim parash.

Këto janë të gjitha pretendimet dashakeqe, dhe asgjë nuk është provuar në gjykatë dhe në fakt të gjitha këto akuza janë kontestuar nga grupi Sandesara në gjykata të ndryshme në Indi.

Përkundrazi, gjykatat ndërkombëtare kanë konsideruar tashmë se këto veprime të agjencive indiane janë të gjitha të motivuara politikisht dhe transaksionet e thjeshta komerciale janë shtrembëruar duke u quajtur si

mashtrime bankare edhe pse bankat janë paguar shumë më tepër para se kredia dhe përveç kësaj kur bankat po mbajnë gjithashtu kolateralin e më shumë se një miliard dollar aktiveve të grupit Sandesara në Indi.

Më tej, institucionet ndërkombëtare kanë përcaktuar këto veprime të Indisë si të motivuara politikisht.

Sandesara Group është një shtëpi biznesi shumëkombëshe 35 vjeçare dhe ka kryer bizneset në mbarë botën në mënyrën më etike dhe nuk ka hasur kurrë ndonjë pretendim për keqbërje në cilindo vend ku vepron biznesi i saj.

Grupi Sandesara ka investuar në Shqipëri në sektorin e shërbimeve dhe ndërtimit dhe gjithashtu po ndjek aktivisht projekte në Kosovë. Grupi Sandesara është i përkushtuar për të kontribuar në zhvillimin e Shqipërisë dhe Kosovës duke sjellë investime dhe ekspertizë për të krijuar punësim në Shqipëri dhe Kosovë” thuhet ndër të tjera në reagim.

E ndërsa Nitin Sandesara dhe Chetan Sandesara u larguan nga Shqipëria, kunati i tyre është në burg dhe pritet që të ekstradohet në Indi.

Në të njëjtën ditë që indiani, Patel, i akuzuar për pastrim parash u arrestua në Rinas në tentativë për t’u arratisur, bashkë me të kanë qenë edhe kunetërit e tij, vëllezërit Sandesara, të cilët kanë fluturuar me charter nga Tirana në Dubai pa asnjë problem ligjor.

Burime për Shqiptarja.com thanë se nuk ka pasur asnjë urdhër arresti ndërkombëtar për ndalimin e tyre. Pas lajmeve se ishte i kërkuar për mashtrim, Ministria e Punëve të Jashtme ndërpreu mandatin e si konsull nderi të Republikës së Shqipërisë të Nitin Sandesara në Nigeri.