Të dhënat zyrtare tregojnë se ekzistojnë 50 milionë derra ndaj 46.5 milionë njerëzve në vendin e famshëm për mishin dhe produktet e derrit. Shqetësime të reja për një industri, tashmë të përfshirë nnga skandalet.

Derrat në Spanjë kanë tejkaluar popullsinë njerëzore për herë të parë, sipas të dhënave të publikuara nga ministria e Mjedisit e këtij vendi, që thotë se tashmë janë 50 milionë derra, ose 3.5 milionë më shumë se njerëz.

Shifrat tregojnë një rritje me rreth 9 milionë kafshë që prej vitit 2013 dhe ka shqetësime në rritje për ndikimin mjedisor të një industrie që prodhon më shumë se 4 milionë tonë produkte të mishit të derrit dhe që gjeneroi 6 miliardë euro të ardhura vitin e kaluar.

Rritja e popullsisë së derrave është një faktor kyç në shndërrimin e gjësë së gjallë në gjeneratorin e katërt më të madh të gazrave serrë pasi transportit, energjisë elektrike dhe industrisë.

Fermat e derrave po ashtu konsumojnë sasi të mëdha uji në një vend që ndikohet vazhdimisht nga thatësira. Ndërsa secili derr konsumon 15 litra ujë në ditë, krej industritë e lidhura me të përdorin më shumë ujë sesa qytetet Zaragoza, Seville dhe Alicante së bashku.

Nitratet nga produktet e jashtëqitjes së kafshëve po ashtu kanë nisur të kontaminojnë ujërat tokësore, thonë ambjentalistët.

Prodhimi i mishit të derrit është goditur nga një seri skandalesh në zinxhirin ushqimor. Këtë vit, nisi një hetim policor kur një klient ktheu një proshutë të mbushur me krimba në një degë të rrjetit francez të supermarketeve, Carrefour.

Policia zbuloi një rrjet furnitorësh të paskrupullt dhe më shumë se 50 tonë proshutë që ishte destinuar për në incinerator, por në vend të kësaj ishte ri-etiketuar me data të reja skadence.

Ky hetim ishte një goditje tjetër ndaj një industrie që ka reputacion për praktika mashtruese, sidomos në prodhimin e markës së vlerësuar “jamón ibérico de bellota”, që mund të shitet edhe me qindra euro një kilogramë.

Për të certifikuar proshutën, ajo duhet të vijë nga derra këmbëzinj prej rrace të pastër që i kalojnë pak mujat e fundit të jetës duke bredhur të lirë përmes pyjeve të dushkut të njohur si dehesa, duke u ushqyer me lende. Mishi duhet të kurohet minimumi për 36 muaj.

Është një proces i ngadaltë dhe kërkon furnizim të rrjedhshëm. Francisco Espárrago, i cili prodhon “jamón ibérico de bellota” në Extremadura në Spanjën Perëndimore thotë se nuk ka burime të mjaftueshme për të kontrolluar zbatimin e rregullave.

“Kur nuk kontrollon një industri në të cilën ka pasur tradicionalisht shumë mashtrim, për shkak se ka shumë kërkesë por jo edhe aq shumë produkt, kjo është ajo që do të ndodhë”, thotë ai.

“Për shembull, disa kafshë ushqehen në dehesa por në vend që të hanë lëndë dushku për tre muajt e fundit të jetës, atyre iu jepet ushqim për kafshët, por inspektori i sheh derrat në pyll dhe kështu ata marrin certifikatën”.

Po ashtu, ka pasur goditje në disa thertore për kushtet jo të duhura të punës. Shumë punëtorë në këtë sektor janë emigrantë të sapoardhur dhe një numër domethënës janë muslimanë që nuk e konsumojnë mishin e derrit.

Spaniardët konsumojnë 21 kilogramë mish derri në vit dhe dashuria e kombit për derrat daton prej mijëra vjetësh. Komentatorët romakë shkruanin me admirim për proshutën spanjolle, dhe derrave iu jepej një mbrojtje speciale nga gotët që sunduan pas rënies së romakëve.

Kur muslimanët morën nën kontroll pjesën më të madhe të gadishullit Iberik, derri u bë simbol i rezistencës së krishterë. Nën sundimin e Inkuizicionit, të haje mish derri në publik u bë një test besimi për hebrenjtë dhe muslimanët që ishin konvertuar me forcë në krishtërim.