Alban Hasani nuk do të jetë më pjesë e stafit teknik të Vllaznisë. Shkodrani në një farë mënyrë ka braktisur rolin e ndihmësit për shkak se nuk mundet më që të durojë situatën që është krijuar tek kuqeblutë muajt e fundit. Në këto kushte Hasani ka vendosur që të bëjë thjeshtë punën e tij si përgjegjës i akademisë Vllaznia duke u tërhequr kështu nga roli i ndihmësit në pankinën kuqeblu përkrah trajnerit në detyrë Armir Grima. Patjetër që nuk është një lajm i mirë për Vllazninë e cila tashmë do vijojë të drejtohet vetëm nga Grima, trajneri i Vllaznisë B Ervis Kraja dhe ai i portierëve Elis Legata.

Edhe Kraja ka angazhimet me ekipin B të kuqebluve dhe s’do mund të jetë gjithnjë i pranishëm në skuadrën e parë. Në këtë mënyrë puna për teknikun Grima i cili edhe ai ka një tjetër angazhim si drejtor sportiv i Vllaznisë vështirësohet ndjeshëm duke parë sfidat dhe rivalitetin e madh që ka Superliga në këtë fazë në të cilën është futur. Kjo tërheqje e Alban Hasanit nuk lidhet me asgjë tjetër veçse me një lloj mërzitje të tij si ndihmës në stolin e ekipit shkodran. Fillimisht Hasani ka patur dëshirën e mirë për ta ndihmuar ekipin e Vllaznisë por vetëm pak javë pas qëndrimit të tij aty ka vendosur të largohet për t’u marrë me punët e akademisë. Në fakt përveç tjerave është edhe një tregues i qartë i situatës aspak të mirë që po kalojnë kuqeblutë të cilët janë rikthyer në luftën për mbijetesë pas humbjes në kampionat me Bylisin. Kohët e fundit edhe vetë Grima ka shfaqur pakënaqësi dhe ka kërkuar që ekipi të ketë trajnerin e ri.

Artikulli paraprakRËNDITJA E FIFA, SHQIPËRIA HUMBET 4 POZICIONE
Artikulli tjetërKONFEDERATA SINDIKALE PËRBALLE PROBLEMEVE