Ambasada e Shteteve të Bashkuara në vendin tonë dënon sulmin me armë ndaj shtëpisë së prindërve të gazetares së kronikës, Klodiana Lala.

Përmes një deklarate të publikuar në faqen zyrtare në fb, Ambasada thotë se dënon me forcë sulmin ndaj gazetares dhe familjes së saj.

Amabasada nxit autoritetet shqiptare të kryejnë një hetim terësor dhe transparent për të nxjerrë autorët përpara drejtësisë.

Ambasada e SHBA-së vlerëson Klodiana Lalën, si gazetarja që ka luajtur një rol të rëndësishëm në reformën e drejtësisë, çështjet e gjyqësorit dhe veprimtarisë kriminale.

” Fakti se ajo u vu në shënjestër demonstron rëndësinë e punës së saj, sjellja e vërtetës tek populli shqiptar” thotë Ambasada.

Në përfundim të reagimit, Ambasada e SHBA-së nënvizon se një media e pavarur është frymëmarrja e një demokracie të vërtetë.

“Akte frikacake si ky tregojnë se kriminelët kanë frikë sa më shumë Shqipëria i afrohet një drejtësie të vërtetë”.

Në orët e para të mëngjesin e sotëm (30 gusht 2018)persona ende të paidentifikuar sulmuan me kallashnikov banesën e prindërve të gazetares që mbulon lajmet në fushën e drejtësisë dhe aktualitetit, Klodiana Lala.

Sipas policisë në momentin e të shtënave me armë, gazetarja Klodiana Lala nuk ndodhej në banesë, por në shtëpi kanë qenë prindërit dhe dy vajzat e saj të mitura.

Në muret e banesës shenjat e plumbave janë të dukshme ndërsa kryetari i PD-së në prononcimin për median tha plumbat kishin goditur dhomën ku flinin vajzat e gazetares.