Mbetjet që hidhen pa kriter por edhe nuk pastrohen në kohën e duhur vazhdojnë që të jenë një prej problemeve që ende nuk po arrin të menaxhohet nga bashkia Shkodër.

Ashtu si në pjesën më të madhe të njësivë administrative, edhe në njësinë Ana e Malit prania e mbeturinave vijon që të jetë një shqetësim për banorët por jo vetëm. Grumbuj mbeturinash ndodhen në pjesë të ndryshme në Anën e Malit. Një situatë problematike është në fshatin Oblikë. Dy prej përrenjve vijojnë që të jenë të ndotur. Persona të papërgjegjshëm kanë mbushur pjesët sipër përrenjve por edhe brenda tyre duke rritur kështu ndotjen.

Përrenjtë nuk janë të vetmit sepse e njëjta situatë është edhe tek koshat e mbeturinave. Qoftë nga sasia e madhe që depozitohet aty apo edhe nga neglizhenca ndonjëherë për t’i pastruar në kohën e duhur bën që pamja të mos jetë aspak e denjë për një aks të tillë që lidh dy shtete, Shqipërinë dhe Malin e Zi. Çdo ditë në atë segment rrugor përshkohen qytetar shqiptar që kalojnë përtej kufirit por edhe qindra shtetas të huaj, nga vende të ndryshme të Europës që vijnë drejt Shqipërisë. Në këtë mënyrë pamje me të cilën përballen nuk është aspak tërheqëse, përkundrazi jep një imazh negativ që në shikimin e parë. Njësia Ana e Malit është një prej atyre në të cilën u shpërndanë rreth 40 kontinierë për hedhjen e mbeturinave por pa arritur që të japin një zgjidhje për menaxhimin e mbetjeve atje. Disa herë kreu i njësisë administrative Arben Ceni ka mundësuar pastrimin e zonave të ndryshme por sërish hedhja e mbeturinave që bëhet çdo ditë vështirëson situatën.

Artikulli paraprakKULT – NAMIK JAHJA
Artikulli tjetër“POGEJ”, INVESTOHEN 7.5 MLN LEKË NË INFRASTRUKTURË