10 ditë nga grabitja e Rinasit, nga ku u rrëmbyen mbi 5 milionë euro, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka analizuar dhe ka bërë profilin e tre grupeve kriminale të cilat janë të specializuara në grabitjet e dhunshme.

Por, me gjithë analizën, nuk ka asnjë të identifikuar përveç Admir Muratajt, i cili ngeli i vrarë gjatë shkëmbimit me armë zjarri.

Duke u nisur nga mënyra se si u krye grabitja e fundit në aeroportin e Rinasit, prokurorët po përpiqen që të gjejnë ngjashmëri me episode të tjera vjedhjesh të dhunshme të kryera në Shqipëri vitet e fundit.

Një ndër to është edhe grabitja e gati 1 milion eurove gjatë vitit 2016 brenda aeroportit, për të cilën vazhdon të jetë në kërkim Aleks Pepa dhe janë nën hetim edhe dy të tjerë.

Për mënyrën se si ka vepruar grupi i tij shikohet një ngjashmëri se si është ndjekur me përpikmëri largimi nga aeroporti me një stafetë mjetesh, ashtu siç ndodhi edhe së fundi në Rinas. Të dy grupet kanë përdorur disa makina e madje ishin po aq efikase në llogaritjen e kohës, thotë një burim.

Dyshimet e tjera janë për një grup tjetër në të cilin grabitësi i vrarë Admir Murataj kishte bashkëpunëtor edhe Klement Calën, edhe ky një i shumëkërkuar nga drejtësia që prej vitit 2013, ashtu sikundër ishte edhe Murataj.

Klement Cala vazhdon të jetë i lirë dhe ka qenë nën hetim më herët si njëri nga autorët e grabitjes së dhunshme të 3.2 milionë eurove që po transportoheshin drejt Rinasit, një episod i cili kishte në grup edhe ish-komando.

Nën analizë është vendosur edhe banda e babagjyshëve, anëtarët e të cilit veprojnë dhunshëm, por që edhe pse shumë prej tyre janë me dënime të formës së prerë, të tjerë mendohet t’i jenë bashkuar Admir Muratajt,

në atë që kriminalistët e quajnë rrjet kriminal, sa herë që anëtarë të grupeve të ndryshme, por jo aq të largëta me njëra-tjetrën, bashkohen për të kryer sulme si ai i fundit në Rinas.

Por, me gjithë dyshimet e forta, do të duhet të mblidhen prova bindëse. Megjithatë, prokurorëve nuk u ka shpëtuar pa analizuar edhe një e dhënë tjetër,

sikurse është koha e ngjeshur brenda të cilës u krye grabitja, që rezulton të jetë kryer 15 ditë pasi gjykata kishte shpallur sekuestro të pasurive të Admir Muratajt dhe familjarëve të tij.