Angela Merkel arrin mandatin e katërt. Sot Bundestagu votoi me 364 vota pro zgjedhjes së kancelares, Angela Merkel. Tani qeveria e re mund të filllojë nga puna.

Ishte një rrugë e gjatë kësaj here, por kancelarja Angela Merkel arriti të zgjidhet në mandatin e katërt nga Bundestagu, gjashtë muaj pas zgjedhjeve parlamentare në Gjermani.

Të mërkurën ( 14.03), 364 deputetë nga 709 gjithsej i dhanë votën kancelares Merkel. Shumica e kërkuar ishte 355 vota. Në votimin e fshehtë, Merkel mori 35 vota më pak se 399 vendet e aleancës qeveritare mes CDU/CSU dhe Partisë Socialdemokrate, SPD:

Rizgjedhja e Merkelit u bë e mundur pas koalicionit me socialdemokratët dhe votës Po të bazës së Partisë Socialdemokrate më 4 mars.

Pas rizgjedhjes së Merkelit si kancelare e Gjermanisë, presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier e ka emëruar atë për një mandat të katërt. Steinmeier i dorëzoi Merkelit të mërkurën certifikatën e emërimit. “Urime zonja kancelare”, tha dhe i uroi Merkelit “punë të mbarë.” Në mesditë Merkel betohet në Bundestag.

Tani qeveria e re gjermane mund të filllojë nga puna. Sfida më e madhe konsiderohet aktualisht përplasja tregtare me SHBA, pas vendimit të Donald Trump për vendosjen e doganave ndaj çelikut dhe aluminit të importuar. Nga kjo preken ndër të tjera edhe firmat gjermane.