36 shtetas afganë u shpëtuan nga anija “Oriku” e Forcës Detare Shqiptare, gjatë patrullimit në detin Egje. Lajmin e bëri të ditur sot Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka e cila u shpreh krenare për detarët tanë.

“Ekuipazhi shqiptar pikasi gomonen ku gjendeshin 19 fëmijë, 8 gra e 9 burra dhe në bashkëpunim me Frontex ia dorëzuan autoriteteve lokale. Krenare për detarët tanë!” tha Xhaçka.

Anija e Forcës Detare shqiptare “Oriku” dhe ekuipazhi i saj u nisën për në misionin e NATO-s në detin Egje me datë 12 korrik. 21 pjesëtarët e kontingjentit të XIII shqiptar në misionin “Sea Guardian”, u nisën nga Flotilja Detare e Pashalimanit, ku u përcollën nga drejtuesit e Forcës Detare, familjarët dhe kolegët e tyre.

Anija “Oriku” është duke zëvendësuar në zonën e operacionit simotrën e saj “Butrinti”, e cila patrullonte prej 6 muajsh në detin Egje. “Oriku” po patrullon në Egje dhe do të qëndrojë atje, deri në fund të vitit, ndërkohë që kontingjenti i XIII do të shërbejë atje për rreth 3 muaj.

Anijet e Forcës sonë Detare patrullojnë prej 2 vitesh e gjysmë në detin Egje ku kanë parandaluar dhe shpëtuar mijëra emigrantë të paligjshëm. Anijet shqiptare janë pjesë e grupit të gatshëm të anijeve të NATO, Standing NATO Maritime Group 2 (SNMG2), në detin Egje

Artikulli paraprakREVOLTOHET ANËTARI I BANDËS SË CËRRIKUT, REFUZON DY VAKTE USHQIMI
Artikulli tjetërPISTOLETË, ÇIFTE, DYLBI E DROGË, ARRESTOHEN DY PERSONA QË MBOLLËN KANABIS MALEVE