OPERACIONE TË TJERA KËRKIMI JANË ZHVILLUAR MË TEJ NË TË GJITHË BRUKSELIN. Belgjika ndodhet në gjendje alarmi duke rritur masat e sigurisë pas operacionit anti-terror në të cilin mbetën të vdekur dy militant të ISIS dhe u arrestua një tjetër, i dyshuar për bashkëpunim me terroristët. 

Dy të dyshuarit u vranë në qytetin lindore të Verviers pasi hanë zjarr ndaj policisë me armë të rënda automatike, mbrëmjen e së enjtes. Zyrtarët policorë thanë se ata sapo ishin kthyer nga Siria dhe po planifikonin sulme terroriste ndaj policisë, fill pas publikimit të një video të re të militantëve të shtetit islamik ku u bëhej thirrje xhihadistëve të vrisnin çdo jo besimtar dhe çdo polic që hasnin në rrugë. Operacione të tjera kërkimi janë zhvilluar më tej në të gjithë Brukselin në zona ku dyshohej për veprimtari të ekspontetëve ekstremistë. Prokurori Eric Der Sypt duke folur mbi operacionin tha se të dyshuarit hapën zjarr menjëherë ndaj forcave speciale, para se të tentonin t’i neutralizonin ata. Gjatë operacionit u sekuestruan katër kallashnikovë, pajisje për bërjen e bombave dhe uniforma policore. Sipas mediave të vendit shumë qytete janë vënë nën masa të larta sigurie sidomos zona të banuar nga hebrenjtë. Sipas shifrave zyrtare të Belgjikës mbi 300 persona kanë lënë vendit për të luftuar në Siri dhe Irak si militantë të Shtetit Islamik, duke e rritur nivelin e rrezikshmërisë të sulmeve të isis në nivele të larta.