Ambasadorët e Bashkimit Evropian apeluan të rinjtë që të kontribuojnë në Shqipëri dhe të mos largohen nga vendi.

Në një takim me ta, diplomatët kërkuan përfshirjen e të rinjve në politikë pasi kjo do ta demokratizonte vendin.

” Suksese dhe punë të mbarë në Shqipëri, në Shqipëri”
Ky ishte apeli i përbashkët që nëntë ambasadorët e Bashkimit Evropian drejtuan për të rinjtë.

Diplomatët kërkuan që ata të qëndrojnë në Shqipëri dhe të përfshihen në politikë ndërsa shefi i delegacionit të BE Luigi Soreca tha se zëri dhe mendimi i rinisë duhet të dëgjohet nga vendimmarrësit.

Soreca: Duhet të përqendrohemi tek të rinjte dhe fëmijët, të dëgjojmë mendimin tuaj. Ndërsa ju duhet të kontribuoni për ta bërë Shqipërinë një vend më të mirë. Ju jeni e tashmja dhe e ardhmja e vendit. Do të jeni qytetarë të ardhshëm të BE.

Diplomatja gjermane Susane Schutz, tha se pjesëmarrja e të rinjve në politikë apo në shoqërinë civile do të sillte impulse pozitive.

Schutz: Duhet të përdorini forcën e ideve tuaja për të transformuar Shqipërinë, për të qenë një vend më demokratik dhe evropian. Zëri juaj duhet të dëgjohet ndërsa pjesëmarrja juaj në politikë do të sillte impulse pozitive.

Ndërsa për ambasadorin austriak, Shqipëria ka nevojë për një qarkullim elitash dhe këtë mund ta sigurojnë vetëm të rinjtë.

Sattler: Duhet të ketë qarkullim elitash. Në Shqipëri për fat të keq kjo nuk ndodh. Nuk duhet të ëndërroni për tu larguar. Shqipëria është e bekuar me resurse dhe këto janë avantazhe që duhet të përdoren.

Takimi me të rinjtë u realizua në kuadër të Ditës së Europës.

Artikulli paraprakNUK KANË DEKLARUAR PASURINË, GJOBITEN 112 ZYRTARË TË LARTË, 50 RASTE NË PROKURORI
Artikulli tjetërAMBASADA RUSE KUJTON 74 – VJETORIN E FITORES NË LUFTËN E MADHE