Gjykata e Apelit lë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për Rexhep Rrajën, djalin e deputetit socialist Rrahman Rraja.

Përmes avokatit të tij, djali i deputetit kishte paraqitur kërkesën në Apel për lirimin e tij nga paraburgimi. Vetë Rexhep Rraja zgjodhi të mos jetë i pranishëm në seancë dhe njoftoi përmes një letre mospjesmarrjen.

“Për arsye personale nuk dëshiroj të marr pjesë në seancë”.
Argumentat e avokatit, Ilir Murati, ishin se nuk ka vepër penale për përndjekje apo dhunë ndaj Xhisiela Malokut, siç pretendon Prokuroria.

“Kërkoj shfuqizimin e vendimit të Gjykatës së Krujës dhe kërkoj lirimin e menjëhershëm.Kemi një histori rozë që nuk ka të bëjë me veprën penale të përndjekjes.Dëmtimet e shkaktuar te shtetasja Xhisela Maloku nuk përcaktojnë kohën kur është bërë” ka deklaruar avokati.

Avokati Murati përdori si argument në seancë edhe deklaratat e fundit të vajzës.
“Xhisiela Maloku del përditë në televizione dhe thotë se nuk është përndjekur. Çështja është politizuar dhe ju jeni në presion”.

Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i relatores së çështjes, gjyqtares Shpresa Beçaj, e cila është shprehur: “Nuk ju lejoj të thoni se jemi në presion, nuk kemi asnjë presion.Trupi gjykues është i pandikuar nga askush dhe do të shqyrtojë aktet e dosjes”.

“Presioni politik çoi në arrestimin e Rrajas në 30 shtator, ndërkohë që ngjarja ka ndodhur në 23 korrik. Keni pamjet kur dalin nga hoteli kur dalin të përqafuar, arrestimi është i paligjshëm.

Nëna e klientit tim është në momentet e fundit të jetës, ndërsa babai i tij ka pësuar aksident.Për shkak të këtyre rrethanave kërkojmë zbutjen e masës së sigurisë” replikoi avokati.

Ndërkohë qëndrimi i organit të akuzës nuk kishte ndryshuar, duke kërkuar “arrest me burg” ndaj Rexhep Rrajës që u pranua dhe nga gjykata që la në fuqi vendimin e dhënë nga gjykata e shkallës së parë në Krujë.

Kërkesa e Rrajës për liri në Apel ishte dorëzuar më 8 tetor, ndërsa hetimet për këtë dosje janë ende të hapura nga prokurorja Mirela Kapo.

Rexhep Rraja u arrestua me 30 shtator 2018. Ai akuzohet për përndjekjen e ish-të dashurës së tij Xhisiela Maloku.

Por kjo e fundit nga ana tjetër ka deklaruar se me Rexhepin ka pasur vetëm marrëdhënie xhelozie dhe se ai nuk e ka keqtrajtuar.