VENDOSET “DETYRIM ME PARAQITJE” PËR ISH-PËRGJEGJËSIN RUDI BECI. Gjykata e aeplit në Shkodër ka vendosur të lirojë të dyshuarin Rudi Beci për shpërdorim detyre gjatë kohës kur mbante postin e përgjegjësit të zyrës së regjistrimeve në agjensinë e legalizimeve në Shkodër.

Trupi gjykues i drejtuar nga Fjoralba Prifti dhe gjyqtarët Astrit Kalaja e Luan Dërvishi vendosi të ndryshojë vendimin e gjykatës të shkallës së parë dhe hedhjen poshtë të pretendimeve të prokurorisë për lënien të fuqi të vendimit arrest me burg pa afat.Fillimisht gjatë seancës fjalën e mori avokati mbrojtës Astrit Kosteri i cili tha se vendimi për arrest me burg pa afat është i pavlefshëm dhe se gjykata e shkallës së parë nuk e ka të bazuar në asnjë nen ligjor masën e sigurisë. Në të njëjtën linjë ishte edhe i dyshuari Rudi Beci i cili sqaroi se nuk ka shkelur asnjë ligj. Nga ana e tij prokurori Brahim Dragjoshi tha se janë shkelur mbi 20 akte nën ligjore por pa cilësuar se cilat janë. Më pas avokati mbrojtës kërkoi shfuqizimin e masës arrest me burg pa afat ose dhënien e një mase sa më të lehtë. Pasi shqyrtoi pretendimet trupi gjykues në apel vendosi të lirojë Rudi Becin me detyrim me paraqitje. Ditën e enjte do të zhvillohet gjyqi i ish-drejtorit të ALUIZNIT Besnik Kastrati, i dyshuar edhe ai për shpërdorim detyre.