“Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj po pengojnë implementimin e marrëveshjes së firmosur për armëpushimin në Siri” – ka qënë kjo akuza e Ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov i cili hedh edhe njëherë dyshime sa i përket mundësisë respektimit të akordit për të ulur armët në Lindjen e Mesme, plan ky që pritet të vihet në zbatim më datë 27 shkurt.

Deklarata e tij erdhi gjatë një takimi me ish-senatorin amerikan Samm Nunn në Moskë. “Sapo Presidenti i Rusisë dhe ai i Shteteve të Bashkuara aprovuan marrëveshjen e armëpushimit në Siri, disa zëra nga Ëashintoni dhe nga kryeqytetet e tjera të aleatëve të Amerikës shprehën dyshime në lidhje me qëndrueshmërinë e akordit të arritur. Më duhet të them se në qasjen tonë, këto deklarata ngjasojnë më shumë si një thirrje për luftë dhe jo për paqe.” Nga ana tjetër, ish-Senatori Nunn vlerësoi përpjekjet e bëra nga Lavrov dhe sekretari amerikan i shtetit, John Kerry për të vendosur paqe në Lindjen e Mesme. Ai tha se është shumë e rëndësishme që palët të gjejnë një gjuhë të përbashkët. Në lidhje me marrëveshjen e armëpushimit ka reaguar edhe Presidenti i Turqisë, Taip Erdogan. Ai shprehu shqetësimin se nga ky plan mund të përfitojë Presidenti Bashar Al-Assad, i cili mund të shfrytëzojë armëpushimin për të forcuar pozitat e tij në raport me rebelët. Erdogan përsëriti edhe akuzat drejtuar Rusisë, duke thënë se bombardimet e forcave ajrore ruse po godasin opozitën siriane dhe jo grupet terroriste. Sipas Presidentit turk, këto sulme po detyrojnë mijëra qytetarë të lënë shtëpitë e tyre.

Artikulli paraprakPRENGA LETËR METËS: VETËPEZULLOHEM NGA KUVENDI DERI NË VENDIMIN E GJYKATËS
Artikulli tjetërNDËRHYRJE E QËLLIMSHME? PIQUE I SHPËTON PEZULLIMIT PËR 2 NDESHJE