Kryeministri Edi Rama ka reaguar për arrestimin e Rexhep Rajës, djali i deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Raja.

Rama u shpreh se mbështet drejtësinë dhe i bëri thirrje prokurorisë të mos ndalet deri në fund.

Edi Rama: “Ndryshe nga ata që dje u bënë mburojë e të kërkuarve nga drejtësia duke i hapur luftë prokurorisë dhe sot po ridhunojnë vajzën për politikë, ne mbështesim drejtësinë e barabartë për të gjithë gjithmonë. Inkurajoj prokurorinë të mos ndalet deri në fund.”

Rexhep Rraja u arrestuar mesditen e së dielës (30 shtator), pasi Gjykata e Krujës vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj tij për dhunimin e Xhisiela Malokut.

I riu akuzohet se ka dhunuar 25 vjeçaren, duke i djegur cigare në trup si dhe duke e goditur me qytën e pistoletës.

Kërkesa për caktimin e masës është dorëzuar dje në gjykatë nga prokuroria e Krujës, ndërsa gjykata e shqyrtoi sot (30 shtator) kërkesën, duke caktuar masën e sigurisë.

Shkak për dorëzimin e kërkesës në gjykatë është bërë një përgjim ambiental i djalit të deputetit.

Prokuroria thotë se në përgjimin ambiental të bërë ditët e fundit, Rexhep Rraja flet për dhunën ndaj Xhisiela Malokut.