172 kilogramë kanabis u sekuestruan nga policia në tre operacione gjatë 24 orëve të fundit, në kufirin greko-shqiptar.

Në rrugën periferike Palamba-Mavroneri në Igumenicë, policia greke ka ndaluar një automjet që vinte nga kufiri i gjelbër. Brenda në automjet janë gjetur dhe sekuestruar 116 kg 110 gram marijuanë dhe 3 celularë.

Arrestohet drejtuesi i automjetit, një 20-vjeçar shqiptar dhe është shpallur në kërkim pronari i automjetit, gjithashtu shqiptar.

Në Sajadhe, Igumenicë është ndaluar një motor që vinte nga kufiri i gjelbër. Brenda në motor janë gjetur dhe sekuestruar 9 pako me 4 kg 740 gram marijuanë.

Pranë vendit të ngjarjes është gjetur dhe një çantë tjetër me 4 kg 600 gram marijuanë. Në total u sekuestruan 9 kg 340 gram marijuanë. U sekuestrua dhe një automjet me rimorkiator në të cilin drejtuesi i motorit, një 25-vjeçar shqiptar që u arrestua, do të vendoste motorin.

Në Kampi, Artë është ndaluar një automjet që gjithashtu vinte nga kufiri i gjelbër. Brenda në makinë janë gjetur dhe sekuestruar 22 pako me 46 kg 385 gram marijuanë. U arrestua drejtuesi dhe pasagjeri, një 24-vjeçar grek dhe një vajzë shqiptare 27-vjeçe.