Sekuestrohen 3 kg heroinë, bien në pranga 6 shtetas shqiptarë në Francë. Mediat franceze raportojnë se policia vendase kanë ndërmarrë një operacion pas hetimeve që kryheshin prej muajsh për një bandë të trafikut të heroinës.

Autoritetet ishin vënë në dijeni për një ngarkesë që ishte nisur nga Belgjika dhe do të mbërrinte në Isere. Në fillim në pranga ranë pesë persona që udhëtonin me një makinë ku gjendej edhe droga, ndërsa shqiptari i gjashtë ra në pranga kur erdhi të marrë ngarkesën.

Sipas hetimeve të autoriteteve franceze, të arrestuarit punojnë për një rrjet kriminal shqiptar me bazë në Zvicër. Ky grup kontrollon tregun e heroinës në Gjenevë dhe synon të shtrihet edhe në Lyon, Grenoble, Saint-Etienne. Emrat e të arrestuarve nuk janë bërë të ditur.