Policia e Shkodrës ka arritur që të zbardhë grabitjen në dyqanin e celurarëve T-Telecom, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e 12 marsit.

Kështu forcat e policisë kanë arrestuar shtetasin Fatmir Laska, 34 vjeç banues në Shkodër i akuzuar si autor i grabitjes me armë. Forcat e policisë kanë shoqëruar dhjetra persona që nga momenti kur ndodhi grabitja në dyqanin e celularëve për të ardhur deri tek arrestimi i 34 vjeçarit. Uniformat blu kanë bërë shoqërimin e shtetasve të njohur si kontigjent krimi dhe gradualisht kanë arritur të kenë dyshime të arsyeshme se autor i grabitjes me armë është Fatmir Laska.

Një ndihmesë për të zbuluar dhe arrestuar 34 vjeçarin kanë qenë edhe kamerat e sigurisë në dyqanin T-Telecom. Po ashtu burime pranë policisë së Shkodrës bëjnë me dije se ka qenë vetë punonjësa, shtetasja A.T ajo e cila mes disa personave të ndryshëm ka arritur që të identifikojë autorin e grabitjes. Pasi është marrë në pyetje shtetasi Fatmir Laska fillimisht ka rezistuar duke mos pranuar autorsinë por në vetëm pak kohë është bindur për të rrëfyer grabitjen. 34 vjeçari ka pranuar se është ai autor i grabitjes me armë mbrëmjen e 12 marsit në dyqanin e celularëve të kompanisë T-Telecom.

Autori i dyshuar Laska ka deklaruar se celularët e vjedhur i ka dërguar në Malin e Zi teksa i ka shitur atje dhe se nuk i disponon. Kur punonjësja A.T po mbyllte dyqanin 34 vjeçari i është afruar teksa ka qenë me një kapele në kokë dhe nën kërcënimin e armës fillimisht ka mbyllur shitësen në tualet dhe më pas ka çaktivizuar sinjalin brenda dyqanit duke grabitur rreth 4-5 aparatë celularë. Katër pas grabitjes policia ka arritur që të zbardhë ngjarjen duke vënë përpara përgjegjësisë autorin e dyshuar.

Nga sa mësohet Fatmir Laska është ish-pjesëtar i shtëpisë së fëmijës në Shkodër dhe vitet e fundit ka banuar në konviktin e shkollës industrial “Arben Broci”.

Artikulli paraprakBUSHATI: ‘DITËT E HAPURA” MUNDËSI PËR STUDENTËT
Artikulli tjetërEUROPA LEAGUE, HIDHET EDHE SHORTI I “KUPËS SË VOGËL”, ASNJË SURPRIZË