Policia spanjolle ka arrestuar në Madrid një shqiptar të dyshuar si kreu i një organizate të trafikut të kokainës. Ndaj Kreshnik Farrukut ishte lëshuar një urdhër-arresti nga Italia në vitin 2018. Shqiptari është emër i njohur për policinë spanjolle, pasi në vitin 2008 ka qenë i dyshuar dhe ndaj tij po hetohej për përfshirje vrasje dhe grabitje. Kreshnik Farruku u arrestua në muajin Prill të vitit të kaluar, por ishte arratisur nga qelia dhe ishte shpallur sërish në kërkim.

Në vitin 2007 u vra biznesmeni spanjoll Jose Luis Moreno, shefi i Kreshnik Farrukut. Ky i fundit dyshohej pikërisht si autor, megjithatë kjo pistë nuk u provua kurrë. Pas këtij momenti, mediat spanjolle raportojnë se Farruku mori drejtimin e rrjetit të drogës, duke trafikuar kokainë në Itali dhe Spanjë.

Në Maj të vitit 2010 u arrestua në Barcelonë së bashku me 7 anëtarë të tjerë të organizatës, pasi u kapën duke transportuar 20 kg kokainë me makinë drejt Italisë. Pas arrestimit, drejtimin e organizatës e mori vëllai i tij Erni. Ky i fundit u arrestua dy vite më vonë, në vitin 2012, raporton shtypi spanjoll.

Në vitin 2014, Kreshnik Farruku u arratis nga burgu duke përdorur një leje që kishte marrë për të dalë dhe nuk u kthye më. Nga arratia, ai vazhdonte të drejtonte organizatën e kokainës.

Hetimet e autoriteteve spanjolle sollën sërish në arrestimin e tij pak ditë më parë gjatë kësaj jave. Ai u kap në një hotel në Madrid së bashku me vëllain e tij dhe një anëtar tjetër të organizatës. Kur agjentët e policisë iu afruan, ai tentoi të provonte se nuk ishte personi që kërkonin duke treguar identitet tjetër. Policia zbuloi se Kreshnik Farruku përdorte 10 identitete të ndryshme të rreme.