Policia e Shkodrës pas një urdhëri të prokurorisë ka ndaluar shtetasin Zamir Leka, drejtor i hipotekës në Shkodër.

Sipas burimeve nga organi i akuzës drejtori Leka është arrestuar teksa ai ndodhej në punë në zyrat e hipotekës së Shkodrës. Policia ka shkuar aty duke e prangosur drejtorin dhe duke e shoqëruar në komisariatin e policisë vendore.

Sipas burimeve drejtori Leka ka akuzë për çështje korruptive gjatë kohës që drejtonte hipotekën e Shkodrës. Zamir Leka u emërua me 18 janar të këtij viti si drejtor i hipotekës dhe pas 8 muajsh në atë pozicion policia dhe prokuroria e arrestojnë.

Bashkë me të sipas burimeve është arrestuar edhe shtetasja Frida Mirashi, punonjëse e hipotekës së Shkodrës.

Vetëm pak ditë më parë prokuroria lëshoi urdhër ndalimi edhe për shtetasin Mirjam Bletaj, ish-jurist në hipotekën e Shkodrës gjatë viteve të fundit si dhe shtetasin Sokol Tirana që bashkë me shtetasin tjetër Johan Zefi dyshohen si sekserët që do i merrnin një mijë euro shtetasit Ndoc Taraj, ky i fundit pronar i një objekti që ishte i gatshëm të paguante para për të nxjerrë në mënyrë të përshpejtuar çertefikatën e pronësisë.

Gjykata e Shkodrës i la në “arrest me burg” ish-juristin Mirjam Bletaj dhe dy sekserët e dyshuar Sokol Tirana dhe Johan Zefi ndërsa dha masën e sigurisë “arrest shtëpie” për shtetasin Ndoc Taraj.

Para këtyre arrestimeve në hipotekën e Shkodrës që përfundojnë me ndalimin e drejtorit Zamir Leka, ministrja e drejtësisë Etilda Gjonaj paralajmëroi se shumë shpejt do të niste goditja e rasteve korruptive në hipoteka duke filluar kështu nga Shkodra.