Arrestohet vlonjati i shumë kërkuar nga policia

 

Është vënë në pranga vlonjati i shumë kërkuar nga policia pasi ka lidhje me disa atentate me tritol të ndodhura dy vite më parë. Burime nga policia thanë se në Tiranë është arrestuar Genis Mëhillaj, 46 vjeç. Ky i fundit ishte i shpallur në kërkim sepse akuzohet se ishte sekseri, njeriu i cili jepte porositë Julian Sinanajt, për të vendosur eksplozivë dhe për të bërë atentate. Genis Mëhillaj është akuzuar si porositësi i vrasjeve me pagesë ishte kthyer në vendin e krimit, në tokën e një prej të vrarëve, peshkatarit Sokol Veizi. Sa herë që biznesmenët ankoheshin për konkurrentët e tyre, Mëhillajt i këshillonin që të ekzekutonin kundërshtarët. Kjo ishte një punë e lehtë, pasi ai mund të paguante dikë, për eliminimin e kundërshtarit. Nga ana tjetër, ata i siguronin se kishin në varësi një person që e kryen vrasjen me saktësi të madhe, pa lënë asnjë gjurmë në vendin e krimit. Për të përforcuar idenë, i flisnin edhe për karrierën e pasur kriminale të Julian Sinanajt. Kur biznesmenit i mbushej mendja, se e vetmja rrugëzgjidhje për të shpëtuar nga rivali ishte vrasja, atëherë ai bënte marrëveshje me kushërinjtë Mëhillaj. Mes palëve nisnin bisedimet për pazaret, të cilat ishin të ndryshme, në varësi të personit që do të vritej. Pas kësaj, Erjon (Andon) dhe Genis Mëhillaj, kontaktonin direkt me Julian Sinanajn. Ata bisedonin për objektivin e radhës, shumën e parave që jepte porositësi për “kokën” e viktimës dhe një fotografi, të shoqëruar me të dhëna personale rreth këtij të fundit. Pasi binin në dakordësi, 31-vjeçari niste procedurat, për të përfunduar me sukses porosinë e radhës, prej së cilës do të merrte një shumë të konsiderueshme parash. Mësohet se Mëhillajt ishin ura lidhëse mes Julian Sinanajt dhe porositësve. Këta të fundit, në të shumtën e rasteve, nuk kishin kontakte me njëri-tjetrin. Gjatë dëshmive të dhëna në prokurori, Sinanaj ka thënë se ai nuk e dinte se kush ishte personi që paguante për punën e tij dhe nga ana tjetër nuk dinte as motivin. Gjithçka mbetej anonime dhe të vetmit persona që kishin informacione të gjëra, ishin kushërinjtë Mëhillaj, të cilët janë shpallur persona në kërkim. Pavarësisht se burime nga policia bëjnë me dije se të arratisurit merrnin rreth 20-30 mijë euro për çdo ndërmjetësim që bënin, Julian Sinanaj i ka dekonspiruar me pretendimin se ata merrnin pjesën më të madhe të parave. “Unë bëja të gjithë punën dhe ata që më jepnin porositë se cilin duhej të vrisja, merrnin më shumë se unë. Jam i pakënaqur për mënyrën se si funksiononte e gjithë kjo situatë”, ka thënë Sinanaj përpara prokurorëve, duke u hakmarrë ndaj kushërinjve sekserë.

Artikulli paraprakTRUMP DO TË NËNSHKRUAJ TJETËR VENDIM KUNDËR EMIGRANTËVE
Artikulli tjetërKAPEN SHQIPTARËT NË ANGLI, KISHIN KTHYER SHTËPINË NË ‘PARCELË KANABISI’