Nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër si rezultat i një pune të mirëorganizuar, dhe në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, në bashkëpunim me Interpol Tirana, u bë e mundur kapja dhe ndalimi i shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar: Ermir Gjeloshi 28 vjeç, banues në Shkodër.

Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi Gjykata e Pistoia / Itali, më datë 29.01.2019, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për kryerjen e veprës penale “Vjedhje në rrethana rënduese”, parashikuar nga Kodi Penal Italian. Gjithashtu nga strukturat e Komisariatit të Policisë Shkodër në mbështetje të Forcës së Posaçme Shqiponja, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative u arrestua shtetasi: Fatlum Halili 55 vjeç, banues në fshatin Dragoç njësia administrative e Postribës.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri kallashnikov dhe municion luftarak, si dhe në oborrin e banesës së tij ju gjetën të kultivuar disa fidanë Cannabis Sativa. Çështja i kaloi Prokurorisë për veprime të mëtejshme për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”