Policia federale gjermane ka akuzuar një kosovar, i cili ka transportuar në mënyrë të paligjshme disa njerëz përtej kufirit, me një makinë të regjistruar në Zvicër.

Kontrabandisti i dyshuar u identifikua të premten, 28 shtator, në pikën kufitare në autostradën B2 në Mittenwald, me pasaportën e tij kosovare dhe një lejeqëndrimi italian, shkruajnë mediat gjermane.

Pesë shoqëruesit e tij, në mesin e të cilëve edhe dy të mitur, nuk kanë pasur fare dokumente. Sipas të dhënave të tyre, bëhet fjalë për pesë shtetas sirianë.

Të gjashtë pasagjerët u dërguan në stacionin e Policisë federale në Rosenheim. Atje hetimi filloi me dyshimin për kontrabandë.

Gjatë marrjes në pyetje, kosovari fillimisht pohoi se sirianët i kishte takuar në një pikë karburantesh në Austri dhe i kishte marrë nga keqardhja e madhe.

Megjithatë, gjatë intervistës u fut në kontradikta dhe më në fund pranoi se gjithçka e ishte shpikur. Siç kanë konstatuar hetuesit e Policisë federale, shtetasit sirianë ishin futur në makinë që në Itali.

Për transportimin e tyre në Gjermani, dyshohet se ai ua ka marrë 1.600 euro. Shtetasit sirianë u transferuan në një qendër strehimi për refugjatë. Vozitësi i veturës, i cili ka një qëndrim të përhershëm në Itali, me urdhër të gjykatësit hetues është paraburgosur gjatë të shtunës. Ai së shpejti do të duhet të përgjigjet për kontrabandimin e të huajve.

Artikulli paraprakZJARR NË SHTËPI, HUMB JETËN 83-VJEÇARI
Artikulli tjetërLEZHË :RREH NËNËN DHE GRUAN, ARRESTOHET NGA POLICIA