Kryeprokurorja Arta Marku del sot përpara Vettingut për vlerësimin kalimtar të pasurisë, aftësive profesionale dhe figurës.

Marku do të përballet sot në orën 10:00 me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, i cili përfaqësohet në këtë proces nga Genta Tafa Bungo, Pamela Qirko dhe Suela Zhegu.

Arta Marku, ish-prokurore e Shkodrës u zgjodh kryeprokurore nga Kuvendi në 18 dhjetor 2017. 42-vjeçarja me origjinë nga Puka ka 17 vite punë në sistemin e drejtësisë.

Ajo ka deklaruar një pasuri modeste, një apartament në Shkodër të blerë me kredi dhe një llogari të vogël bankare.

Shqiptarja.com publikoi pasurinë e plotë të deklaruar nga zonja Marku pranë ILDKPKI që nga viti 2004. Sa i takon pasurive të paluajtshme, kryeprokurorja posedon 1/3 e një shtëpie banimi me sipërfaqe 55 m2, ku siç duket është banesa e prindërve.

Në vitin 2007, kryeprokurorja, së bashku me bashkëshortin, deklarojnë blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 103 m2, me vlerë 5 000 000. Apartamenti është blerë me anë të një kredie dhe nga kursimet.

Ndërkaq, në vitin 2015, bashkëshorti i zonjës Marku deklaron 25 % të një apartamenti me sipërfaqe 60 m2, fituar nga privatizimi i banesës shtetërore.

Sa i takon të ardhurave, kryeprokurorja deklaron vetëm pagën e saj si prokurore ndër vite dhe pagën e bashkëshortit nga pozicioni oficer i policisë gjyqësore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër.

Nga viti 2011, kryeprokurorja deklaron edhe të ardhura si pedagoge e jashtme në Universitetin “Gjon Buzuku”, Shkodër.