Shtëpia e të Moshuarve në Shkodër ka pritur në një ditë ndryshe profesorin e artit të ebrusë Bekim Ndrukaj. Instituti “Junus Emre” në Shkodër në bashkëpunim me Shtëpinë e të Moshuarve organizuan këtë aktivitet që në fokus kishte punimet e artit të Ebrusë të sjella me mjeshtëri nga professor Bekim Ndrukaj.

Të moshuarit rezident kanë mundur që të shijojnë artin e Ebrusë duke kaluar kështu disa orë ndryshe nga rutina e tyre e përditshme. Profesor Bekim Ndrukaj tha se ky aktivitet vjen edhe në prag të muajit të madhërueshëm të Ramazanit për t’ju gjendur sa më pranë shtresave që kanë më shumë nevojë për ngrohtësi dhe dashurinë e gjithsecilit prej nesh

Arti i Ebrusë që erdhi për rezidentët tek Shtëpia e të Moshuarve në Shkodër njihet ndryshe si “vallja e bojërave mbi ujë”. Ebruja është një art me origjinë lindore, të cilin turqit e kanë përsosur, zbukuruar dhe më pas e kanë prezantuar kudo në botë.

Ebruja vjen nga Azia Qendrore ndërsa është një mënyrë për të pikturuar mbi ujë. Fillimisht është aplikuar në Kinë dhe më pas në Iran. Rreth viteve 1.500, ky art pati një zhvillim të madh në Turqi, saqë tashmë në gjithë botën tani njihet si ebruja turke ose “vallja e bojërave mbi ujë”.

Ebruja është përhapur anembanë botës nga udhëtarët që vizitonin Stambollin. Ky art është aplikuar dhe në Evropë, por me një teknikë më modern ndërsa është prezent edhe në Shkodër e sjellë nga qendra “Jonus Emre”.