Arratisja e dy shqiptarëve natën e 1 janarit nga burgu i sigurisë së lartë në Koridhalo nxori edhe një herë tjetër në pah dobësitë e sigurisë në burgjet greke.

Ndërkohë, vazhdojnë përpjekjet e policisë greke për kapjen e dy shqiptarëve Elvis Pepa dhe Lenard Pepa, të cilët u arratisën natën e 1 janarit nga burgu grek i Koridhalosë.

Mungesa e tyre nga qelia 17 e sektorit D të burgut u kuptua vetëm pas 10 orësh. Sipas Ministrisë së Drejtësisë greke burgu është i pajisur me kamera sigurie, pamjet e të cilave u panë vetëm në mëngjesin e së mërkurës thjesht për të saktësuar orën e arratisjes 20:30 të mbrëmjes të së martës 1 janar 2019.

Ministria e Drejtësisë greke në një njoftim të saj pas arratisjes bëri të ditur se ajo nga ana e saj kishte dhënë udhëzime të qarta për mënyrën se si do të kryhej mbikëqyrja e të burgosurve ditët e festave dhe në një përpjekje për të hequr nga vetja përgjegjësitë dha për publikun një tabelë ku tregonte se falë masave të marra të paktën 5 vitet e fundit nuk ka pasur asnjë arratisje nga burgjet greke.

Deklarata jo vetëm nuk qetësoi gjakrat, por i hodhi benzinë zjarrit.
Sindikata e Punonjësve të Burgjeve greke nga ana e saj kaloi në sulm. Ajo i kërkoi Ministrisë së Drejtësisë që të jepte për publikun listën e rasteve kur punonjësit e burgjeve kishin rënë viktima të të burgosurve.

Por nga Sindikata nuk u tha asnjë fjalë se kush është përgjegjësi që natën e 1 janarit dy të burgosur presin kangjellat e qelisë me copa nga kanoçe birrash e më pas kalojnë murin me një litar të bërë nga rripa çantash.

Gjithashtu nuk ka asnjë përgjigje për personin i cili duhej të mbikëqyrte kamerat dhe të kishte kapur momentin e arratisjes dhe se ku ishin dy rojet e kullave ndërmjet të cilave dy shqiptarët hodhën litarin dhe kapërcyen pa asnjë problem murin rrethues të burgut.

Në njoftimin e saj, Sindikata bëri të ditur se disa punonjës kishin marrë leje dhe se nuk është faji i administratës së burgut që qeveria nuk ka dhënë fonde për personel shtesë.

I gjithë debati në fakt degjeneroi edhe një herë jo për atë çka ndodhi, por se kush është më tepër fajtor Ministria apo burgu i Koridhalos.
Punonjësit nga ana e tyre mbështesin faktin se në shumë raste ajo çka ndodh në burgjet greke ose mbahet sekret, ose merret vesh me shumë vonesë.

Një rast i tillë ishte edhe vdekja e një të burgosuri 50 vjeçar në spitalin e burgut natën e 1 janarit 2019, rast që sipas tyre nuk u bë i njohur për publikun.

Dy të arratisurit vazhdojnë të shijojnë lirinë që i dhanë vetes pas ikjes nga Koridhalo. Përveç njoftimit se vazhdojnë kërkimet, policia greke nuk ka bërë asnjë njoftim tjetër.

Elvis Pepa dhe Leonard Pepa janë pjesë e dy grupeve të ndryshme që vepronin në Korfuz dhe Athinë. Elvis Pepa, pjesë e një grupi të njohur si “Vjedhësit me Kallashnikov” ishin bërë tmerr i të moshuarve në Athinë.

Në biografinë e tyre numërohen një sërë vjedhjesh dhe grabitjesh të dhunshme prandaj edhe policia i ka klasifikuar si shumë të rrezikshëm.