Një atentat me armë ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të sotëm në Trevizo të Italisë ku në shënjestër ka qenë një 40 vjeçar shqiptar.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 3.40 në rrugën Volta në Oderzo, pranë stacionit të autobusëve. “Corriere” shkruan se shqiptari me iniciale D.Q, punonte si truprojë në një kompani sigurimi, posaçërisht në një kazino në Venecia.

Ndërsa po kthehej në shtëpi, në mbrëmje, ai u përball me një individ që po e priste atë i fshehur në errësirë. Njeriu, me një kapuç në fytyrë, shkarkoi armën në drejtim të tij duke e goditur në shpinë. Plumbi hyri në pjesën e shpatullës, pa i shkaktuar lëndime serioze.

Shqiptari u dërgua menjëherë në spitalin e Trevisos. Ende nuk dihen shkaqet e ngjarjes, ndërsa paraprakisht thuhet se nuk ka lidhje me punën e tij në kazino.

Shqiptari ishte kërcënuar edhe në të kaluarës, pasi dikush kishte hedhur fishekë në kopshtin e shtëpisë së tij. Sipas raporteve paraprake, fishekët ishin të ngjashëm me atë përdorte truproja në armën e tij.