Një 32-vjeçar në Elbasan mbeti i plagosur rëndë pasi u sulmua me granatë brenda një lokali që ka në pronësi.

Atentati ndaj Albert Altreziut, dyshohet të ketë ndodhur për hakmarrje, pasi ai ka qenë i dënuar për vrasje në moshën 15-vjeçare dhe ka disa precedentë të tjera penalë. Ngjarja ndodhi vetëm disa orë pasi në Elbasan qëndroi zëvendësministri i Brendshëm, Sandër Lleshi.

Një atentat me granatë tronditi Elbasanin vetëm pak orë pasi zëvendësministri i Ministrisë së Brendshme, Sandër Lleshi, zhvilloi një takim në policinë lokale me synim goditjen e veprimtarisë kriminale në qytet.

Albert Alterziu, rreth 32 vjeç, mbeti i plagosur rëndë. Ai u sulmua me granatë ndërsa ndodhej brenda lokalit që shikoni në foto, në lagjen “Partizani”, të cilin e ka në pronësi.

Alterziu ka marrë dëmtime në fytyrë dhe pjesë të tjera të trupit dhe u dërgua në gjendje të rëndë në spitalin rajonal ku i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ngjarja ndodhi në orën 03:45 minuta, ndërsa disa orë më pas lokali ishte i hapur për klientët sikur të mos kishte ndodhur asgjë, edhe pse mediat nuk ishin të mirëpritura.

Hetimet
Pista kryesore e hetimeve është ajo e hakmarrjes. Albert Alterziu rezulton person me precedent penal dhe njihej si person problematik në qytet.

Rezulton se në vitin 2001, kur Alterziu ishte në moshë minorene, ka vrarë bashkëmoshatarin e tij E. Shuli rreth 15 vjeç.

Për ngjarjen atë kohë u dënua me 10 vjet burg, por iu ul në 7 për shkak të moshës.
Në vitin 2011, lokali i tij është sulmuar me armë zjarri, ndërsa dy vjet më vonë i riu është plagosur me thikë.

Policia e Elbasanit mësohet se ka marrë në pyetje disa persona në kuadër të hetimit për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e motiveve të atentatit ndaj Albert Alterziut.