Vrasja e Edison Harizajt dhe mikut të tij Genci Çaçi, disa ditë më parë në zonën e plazhit në Durrës, ka hapur disa pistat hetimi, por ende pa konkluduar në përfundim, për autorët dhe motivin.

Mësohet se për shkak se shënjestra e këtij atentati dyshohet të ketë qenë 39-vjeçari Harizaj, grupi hetimor ka hapur edhe disa dosje të vjetra ku ai ka qenë i implikuar si autor.

Gjithashtu, emri Edison Harizaj, i njohur si mik me Emiljano Shullazin ka qenë i dyshuar në atentatin e bujshëm të gjyqtarit Skerdilajd Konomi, ngjarje e cila nuk iu provua dot. Emri i 39- vjeçarit doli edhe si i dyshuar në zhdukjen e Albano Xhaferrit, i cili ishte kthyer nga Belgjika.

Edison Harizaj dyshohet se kishte marrë të dhëna se Xhaferri ishte paguar që nga Belgjika që të survejonte lëvizjet e tij për t’u dhënë informacion më pas të interesuarve që kishin qëllim ta eliminonin atë.

Grupi hetimor është duke punuar edhe në pista të tjera që lidhen me qytetin e Vlorës.
Nga mënyra e realizimit, atentati, sipas ekspertëve të Policisë, ishte organizuar për të mos dështuar dhe tashmë ka dyshime të forta se krimi ka lidhje me një luftë për territore mes grupeve rivale në Vlorë.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 7 nëntorit, kur viktimat po udhëtonin në makinën “Audi A8” me targa AA 867 TX. Edison Harizaj, 39 vjeç, i njohur edhe si mik i Emiljano Shullazit, dhe Genci Çaçi, 33 vjeç, u vranë me armë zjarri në “Unazën e Plazhit”, aks që lidh jugun e vendit me kryeqytetin.

Viktimat po ndiqeshin nga autorët përgjatë autostradës. Pasi kanë derdhur një duzinë plumbash mbi makinën e tyre, autorët janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes dhe pak kilometra më tej i vunë flakën makinës që përdorën në atentat.