Përleshjet e dhunshme që shpërthyen në Athinë përfunduan me arrestimin e 19 personave dhe me dëme të pakta materiale.

Më shumë se 11,000 pjesëmarrës u marshuan në rrugët e kryeqytetit grek për të përkujtuar 45-vjetorin e revoltës studentore ndaj regjimit ushtarak të kohës.

Disa marshues mbanin parulla me sloganë ku denoncohej fashizmi, imperializmi, NATO dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Megjithëse marshimi nisi paqësor, një organizatë anarkiste studentore formoi një barrikadë duke sulmuar policinë me gurë dhë bomba molotov.

Në kundërpërgjigje, policia përdori gaz lotsjellës, granata shurdhuese dhe autobote me ujë. Shumë prej agresorëve u arrestuan, por disa prej tyre u liruan pak orë më pas.

Protesta u mbyll pranë ambasadës së SHBA-ve, ku disa pjesëmarrës dogjën flamujt amerikanë si shprehje kundër mbështetjes që Uashingtoni i dha ish-diktaturës ushtarake greke në mes-shekullin e kaluar.

17 nëntori i vitit 1973 përkujtohet në Greqi si dita e vrasjes së 24 studentëve të Universitetit Politeknik të Athinës, dhe simbolizon rezistencën e popullit ndaj tiranisë.

Vitet e fundit, përvjetori është përdorur më shpesh për të protestuar masat e rënda financiare me të cilat vendi është dashur të përballet që prej krizës financiare ndërkombëtare.