Kryeministri Edi Rama, ka postuar në Facebook-un e tij një video të zonjës Bukurije Braka, problemet e të cilës të parashtruara gjatë llogaridhënues publike u zgjidhën.

Braka u bë e njohur në dëgjesën publike në Cërrik, ku i tha Kryeministrit Edi Rama se kontrolli parësor është i dështuar pasi në qendrat shëndetësore nuk kishte as aparat tensioni.

Më vonë, gjatë një takimi në Kryeministri, Braka ndryshoi qëndrim dhe tha se është e kënaqur me Kryeministrin dhe qeverinë socialiste por sipas saj, problemi qëndron tek administrata shtetërore që nuk kryen detyrën.

Batutat e Ramës me Bukurije Brakën në Kryeministri:

Braka: Nuk ishte e nevojshme të vinin deri në Kryeministri këto probleme. Problemi u zgjidh brenda 10 ditësh. Vajti vajza, mori zgjidhje.

Rama: Fol si në Cërrik, mos ki emocione. Aty më mbyte.

Bukurije Braka: Jo jo, s’të mbyta unë.

Rama: Fol tashi

Bukurije Braka: Administrata poshtë duhet të jetë si këta këtu. Të ishin njësoj si këta, s’të thoja ty për certifikatë. Ata e kalojnë kohën nëpër lokale. Me ty jam e kënaqur.

Rama dhe Bukurije Braka në Cërrik:

Qytetarja: Pse nuk janë përfshirë disa analiza më të shtrenjta në check up, mamografia dhe pap testi?

Rama: Kush të tha që nuk janë falas?

Qytetarja: Atje nuk kishin as aparat për të matur tensionin

Rama: Unë them mamografia është falas e pap test i ke në Elbasan.

Më tej në videon e postuar të kryeministrit, qytetarja u shpreh se problemet e saj u zgjidhën. Ndërsa kryeministri Rama e quajti një tjetër sukses të Llogaridhënies publike.

“Një ndërveprim real me njerëzit e zakonshëm dhe për njerëzit e zakonshëm, në funksion të ndërtimit çdo ditë të koalicionit me ta për Shqipërinë që duam,

përtej cinizmit, sharjeve e përqeshjeve të shumëkujt që e harron ku ishim dhe nuk do të shikojë se sa shumë kemi bërë e se sa shumë më tepër akoma duam e kemi mundësi të bëjmë së bashku.”