Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, i akuzuar për kallzim të rremë dhe i marrë i pandehur për dosjen “Babalja”, ka publikuar një bisedë të re lidhur me këtë ngjarje.

Bëhet fjalë për një bisedë audio të cilën ish-deputeti e ka postuar në facebook.Salianji thotë se këtë përgjim e disponon dhe policia dhe është pjesë e dosjes.

Në materialin që ai e ka cilësuar si “Piovra. Episodi 1”, ai nxjerr bisedën telefonike mes Drejtorit të Policisë së Fierit dhe Fredi Alizotit, person që sipas Prokurorisë mori përsipër të imitojë zërin e Geron Xhafaj, vëllait të ish-Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Sipas ish-deputetit komunikimi është bërë në orën 00:30 të natës mes Drejtorit të Policisë Fier dhe Alizotit pasi ka dhënë dëshminë e sajuar.
Këto publikime vinë në një moment Prokuroria ka përfunduar hetimet dhe ka marrë të pandehur ish-deputetin Salianji.

Dosja është dërguar në gjykatë dhe pritet të përcaktohet seanca paraprake për dërgimin e çështjes në gjyq.

Ish-deputeti akuzohet për kallzim të rremë. Ndërkohë të pandehur të tjerë janë gazetari Jetmir Olldashi, Albert Veliu i njohur ndryshe si “Babalja” dhe Fredi Alizoti.