Situata e tensionuar mes Kosovës dhe Serbisë po provokon sulme edhe ndaj qytetarëve të thjeshtë.

Një autobus i linjës Prizren-Frankfurt që po kalonte në territorin serb, u sulmua mëngjesin e së dielës me gur, por pa shkaktuar viktima. Ministria e Jashtme e Kosovës ka kërkuar që udhëtimi nëpër Serbi të kryhet me kujdes.

Një autobus me pasagjerë i nisur nga Prishtina drejt Gjermanisë u sulmua të dielën teksa kalonte në Serbi.

Incidenti ndodhi rreth orës 2 pas mesnate, kur automjeti me shqiptarë nga Kosova po përshkonte aksin rrugor të qytetit qendror të Krushevacit.

Goditja me gur nga autorë të panjohur depërtoi xhamin e përparmë të shoferit por nuk shkaktoi të lënduar.

Sipas dëshmive, policia serbe mbërriti në vendngjarje me gati 30 minuta vonesë, ndërsa pas procedurave hetimore, mjeti rinisi udhëtimin drejt qytetit gjerman të Frankfurtit rreth orës 5 të mëngjesit.

Ndërkaq sulmi u dënua ashpër nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, e cila ka apeluar që të mos udhëtohet nëpër Serbi derisa në rikthimin e sigurisë së plotë.
Zëdhënësi i ministrisë, Jetlir Zyberaj, deklaroi për mediet lokale se sulmi tregon me sa pengesa dhe liri të kufizuar të lëvizjes përballen qytetarët e Kosovës gjatë udhëtimit nëpër Serbi.

Zyberaj kujtoi edhe incidentin e para dy javëve, kur huliganë që dyshohet se i përkisnin kombësisë serbe, dëmtuan stemën e Shtetit të Kosovës te konsullata në Danimarkë.

Prishtina informon se është në kontakt me Bashkimin Europian për të kërkuar përgjegjësi për aktet vandale të nxitura nga Beogradi zyrtar, dhe kryesisht kryediplomati, Ivica Daçiç, që sipas tyre vijon përpjekjet për lajme të rreme dhe propagandën kundër Kosovës.

Artikulli paraprakAKSIDENT I RËNDË NË QAFË-THANË, MAKINAT PËRPLASEN KOKË MË KOKË
Artikulli tjetërZJARRI PËRFSHIN ISHULLIN, EVAKUUOHEN TURISTËT E 5 HOTELEVE