Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit në SHBA, Dr Francis Collins, tha se ai është “optimist” se një “trajtim efektiv” për Covid-19 do të jetë në dispozicion pas dy deri në tre muajsh.

“Ka shumë përparim në terapeutikë,” – tha ai për CNN, – “Ne kemi deri tani dy ilaçe të provuara – remdesivir dhe dexamethasone, të dyja të provuara në prova rigoroze të kontrollit”.

Remdesivir është një ilaç antiviral që ka treguar se zvogëlon sasinë e kohës për shërimin e pacientëve me Covid-19 kurse Dexamethasone është një steroide që mund të zvogëlojë shkallën e vdekshmërisë te pacientët e sëmurë rëndë.

“Unë jam optimist se do të kemi diçka tjeteër brenda 2-3 muajve për sa i përket një trajtimi efektiv”.

Autoriteti amerikan tha gjithashtu se është optimist për zhvillimin e një vaksine të suksesshme deri në fund të vitit.

“Testimet përfundimtare të vaksinës antiCovid do të fillojnë rreth 27 korrikut në të gjithë pjesën jugore të vendit ku virusi po përhapet më shumë. Vaksina nuk është bërë kurrë më parë me këtë shpejtësi dhe gjithashtu nuk jemi duke kompromentuar sigurinë”.

Por Francis Collins tha që është i shqetësuar për atë që një numër i madh njerëzish e shohin me skepticizëm vaksinën, duke shtuar se është e rëndësishme për të gjithë që ta administrojnë atë kur të jetë në dispozicion. Ai theksoi se nëse edhe një nga provat e vaksinave do të rezultojë e suksesshme, do të ketë “dhjetëra miliona doza të gatshme duke filluar nga fundi i vitit”.

Kryevirologu Fauci

Eksperti më i mirë i SHBA për sëmundjet infektive, kryevirologu i Shtëpisë së Bardhë, Anthony Fauci ve u bëri thirrje guvernatorëve të shteteve “të bëjnë të pamundurën për t’i bindur njerëzit të mbajnë maska”.

“Distancimi shoqëror, një faktor i rëndësishëm në zbutjen e përhapjes së koronavirusit, mund të jetë i vështirë për shumë njerëz që dalin në ambientet publike”- tha Dr. Fauci, “dhe për këtë arsye, maskat janë me të vërtetë të domosdoshme dhe ne duhet t’i përdorim ato kudo”

Eksperti amerikan tha gjithashtu se vendi duhet të përqëndrohet në problemet në fjalë dhe të mos shqetësohet për një valë të dytë.

“Teksa kemi disa javë me rreth 70 mijë raste të reja ditore të Covid, kryefjala jonë duhet të jetë frenimi i përhapjes së infeksionit” – tha ai.