Protestat e një dite më parë e opozitës ka qenë nën vëzhgimin e istitucionit të Avokatit të Popullit.

Përmes një deklarate thuhet se ekipe monitoruese të Avokatit të Popullit kanë qenë në terren prej orës 18.00 të së shtunës së 13 prillit deri në përfundim të protestës për të parë dhe dokumentuar nga afër çdo zhvillim.

Nga vëzhgimet e kryera, Avokati i Popullit thotë se ka konstatuar se protesta është zhvilluar përgjithësisht në mënyrë paqësore dhe se episodet e dhunës apo të kundërshtimit të forcave të policisë nga ana e protestuesve kanë qenë në një shkallë të menaxhueshme.

Jo dhunës në protesta-Avokati i Popullit nuk pajtohet me veprime të dhunshme të çfarëdo shkalle apo natyre të drejtuara ndaj individit, institucioneve shtetërore apo pronës private.

“Sikurse është parë edhe në protesta të tjera edhe në vende të ndryshme të Europës, disa akte të kufizuara por të dënueshme dëmtimesh janë konstatuar në disa godina isntitucionesh

por edhe prona (makina apo qepena dyqanesh) të individëve privatë jashtë institucioneve ku po protestohej, ndërsa u vu re se grupe qytetarësh kanë çarë kordonin policor për të përdorur shkallët e godinës së kryeministrisë si tribunë për të brohoritur”.

Pavarësisht kësaj, Avokati i Popullit i bën thirrje autoriteteve shtetërore që të garantojnë të drejtën kushtetuese të qytetarëve për tubim paqësor, pa e kufizuar këtë të drejtë në asnjë mënyrë, as të drejtpërdrejtë e as të tërthortë.

Shqetësim mbi përdorimin pa kriter të gazit lotsjellës- Avokati i Popullit shpreh shqetësimin që sjelljet e jashtëligjshme apo të dënueshme të individëve apo grupimeve të vogla e të veçuara,

vazhdojnë të përdoren si pretekst nga ana e institucioneve tona ligjzbatuese për të kufizuar të drejtën për tubim, edhe për qytetarët e tjerë të papërfshirë në shkelje ligjore.

Një nga shqetësimet kryesore mbetet përdorimi i gazit lotsjellës.
“Për përdorimin e gazit lotsjellës apo përbërësve të tjerë irritues vazhdon te mos bëhet publik protokolli apo manuali i hetueshëm i përdorimit, me anë të të cilit rregullohen specifikisht rastet kur ai mund të përdoret, sasia, shpeshtësia, dendësia dhe lloji i tij.

Për këtë arsye, mbetet në gjykimin subjektiv të opinionit dhe pjesëmarrësve në protesta, të vlerësojnë se përdorimi i gazit lotsjellës jo vetëm që vazhdon të jetë në shpërpjesëtim me shkallën e rrezikshmërisë që paraqet turma e protestuesve, por ai është shndërruar tashmë në një instrument të preferuar për pengimin e vetë së drejtës kushtetuese të qytetarëve për tubim paqësor.

Përdorimi në masë i gazit lotsjellës përveçse është konstatuar nga grupet në terren është raportuar me shqetësim edhe nga një numër gazetarësh dhe përfaqësuesish të pavarur të medias, si kufizues për ushtrimin e detyrës së tyre në raportimin e protestës”.

Media nuk mund të shihet si kërcënim për sigurinë publike-Avokati i Popullit thotë se ekipet e gazetarëve kanë raportuar se Policia e Shtetit në vazhdimësi ka vazhduar të përdorë metoda të ndryshme për t’i dekurajuar apo shmangur ata nga pasqyrimi i ngjarjeve.

“Në të paktën një rast është raportuar se ekipet e përfaqësueve të medias janë goditur edhe me ujë të pompuar apo mjete të tjera të rezervuara për përdorim në raste kur grupime të dhunshme protestuesish kërcënojnë sigurinë publike.

Trajtimi i medias dhe gazetarëve si një kërcënim i sigurisë publike, konsiderohet nga Avokati i Popullit si një nga sinjalet më shqetësuese për një situatë ku liria e shtypit është vënë në dyshim”.