Avokati i Popullit heton mbi përdorimin e shpërpjesëtuar të gazit lotësjellës si dhe për ushtrim dhune gjatë arrestimit të pjesëmarrësve në tubimin e 16 shkurtit.

Në një deklaratë, Institucioni i Avokatit të Popullit thotë se protesta e 16 shkurtit është zhvilluar përgjithësisht brenda standardeve normale të një tubimi paqësor.

“Qytetarët kanë qenë të pranishëm të shumtë në numër dhe – përveç një numri të vogël e të veçuar individësh – në një shumicë dërrmuese qytetarët janë shfaqur të qetë dhe të paangazhuar në akte kërcënuese për rendin, qetësinë dhe sigurinë publike.

Avokati i Popullit çmon se sado i parëndësishëm qoftë numri i qytetarëve që e injorojnë ligjin dhe përfshihen në veprime të dhunshme, cenimi i pronës publike si dhe veprimet në kundërshtim të sigurisë dhe rendit publik

janë te papajtueshme me të drejtën kushtetuese të protestës dhe dëmtojnë jo thjesht pasurinë publike por edhe të drejtën e qytetarëve të tjerë për të protestuar paqësisht”, sqaron Avokati i Popullit.

Nga verifikimet paraprake të ekipit monitorues është konstatuar se forcat e ruajtjes së rendit në përgjithësi e kanë menaxhuar me rregullsi protestën, pa u angazhuar në ushtrim dhune mbi qytetarët protestues.

Gjithsesi, nisur edhe nga ankesa të ardhura prej qytetarëve të pranishëm në protestë,

Avokati i popullit ka ngritur pyetje në lidhje me proporcionalitetin e përdorimit të gazit lakrimogjen apo edhe të pajisjeve të tjera shpërthyese që u hodhën nga forcat e ruajtjes së rendit mbi masën e qytetarëve gjatë protestës.