Avokati i Popullit ka dhënë konkluzionet e hetimit për shkakun e vdekjes së 27-vjeçarit rom Enea Ftoi në dhomat e paraburgimit të komisariatit të Korçës.

Sipas AP, Ftoi nuk ka vdekur nga dhuna policore, siç pretendohej nga familjarët e tij, por nga sëmundje: “Ndalimi i menjëhershëm i punës së zemrës me mekanizmin e ishemisë akute të miokardit, sëmundje kronike të mushkërive dhe prezencë të produkteve narkotike”.

Në raportin e AP thuhet:
“Ndaj Enea Ftoit nuk është ushtruar dhunë fizike. Janë respektuar të drejtat ligjore gjatë veprimeve të kryera nga Policia lidhur me orën e arrestimit, sigurimin e mbrojtësit, njohja me të drejtat etj.

Nga akti i ekspertimit mjeko-ligjor, rezulton që shkaku i vdekjes së 27- vjeçarit ka qënë ndalimi i menjëhershëm i punës së zemrës me mekanizmin e ishemisë akute të miokardit, sëmundje kronike të mushkërive dhe prezencë të produkteve narkotike.

Nga hetimi i Avokatit te Popullit rezulton se në ambientin e dhomave të sigurisë të Komisariatit të Korçës, sistemi për kontrollin, monitorimin dhe regjistrimin me anë të pajisjeve audio vizive, të veprimeve që punonjësit e Policisë kryejnë me të arrestuarit a të ndaluarit, marrjen në pyetje nga përfaqësuesit e organit të akuzës, nuk funksionojnë prej disa muajsh.

Gjithashtu, në dhomën e marrjes në pyetje të të arrestuarve a ndaluarve, nuk janë instaluar kamera, edhe pse kjo parashikohet në ligje dhe rregulloret përkatëse.

Megjithëse ligji parashikon që kontrolli mjekesor i të arrestuarve a ndaluarve kryhet nga mjeku apo ndihmësmjeku i Komisariatit, në Komisariatin e Korçës, këtë detyrë e kryente një infermier që sipas vleresimit të Avokatit të Popullit, nuk ka aftësinë profesionale të konstatimit apo trajtimit të problemeve shëndetësore të të ndaluarve.

Avokati i Popullit, referuar rastit të Enea Ftoit i ka rekomanduar Drejtorisë së Policisë së Korçës, instalimin e sistemit të monitorimit në dhomat e sigurimit dhe në ambientet e tjera të Komisariatit ku kryhet marrja në pyetje e të ndaluarve si dhe plotësimin e organikës së drejtorisë me mjek me kohë të plotë pune.