Lajmi se kapiteni i Kosovës U-21, Ardian Ismajli, është pajisur me pasaportën shqiptare dhe se do të vesh fanellën e Kombëtares shqiptare në ndeshjet e nëntorit, është mohuar nga babai i lojtarit.

Ili Ismajli ka deklaruar se e ardhmja e lojtarit në Kombëtaren shqiptare apo atë të Kosovës, për të cilën ka luajtur një ndeshje miqësore mbetet ende e paqartë.

“Nuk jemi pajisur me pasaportë shqiptare, por jemi të pavendosur se kë do ta përfaqësojmë”, ka thënë Ismajli për “GazetaOlle.com”.

Qendërmbrojtësi prishtinas u rikthye titullar në fundjavë tek Hajduku i Splitit, derisa nga mediat kroate u përfshi në 11-shen e javës.

Ai ka qenë kapiten tek Kosova U-21, ndërsa ishte grumbulluar në ndeshjet e shtatorit me Kosovën A, për t’u kthyer sërish tek U-21. Ai ende nuk ka vendosur nëse do të luajë me Kosovën A apo Shqipërinë A.