Para tri javësh, një baba me të bijën e tij u rrëzuan nga kati i katërt i një godine banimi në Grenchen të Zvicrës. Tani, Prokuroria është duke hetuar ndaj prindit për veprën penale “përpjekje për vrasje”.

Ngjarja kishte ndodhur në lagjen Monbijou të Grenchenit, kur banorët në mëngjes u zgjuan nga klithmat e dëshpëruara të një gruaje.

Rreth orës 7.00 një burrë dyzetvjeçar, me të bijën tetëvjeçare është hedhur nga kati i katërt i një godine banimi, duke u rrëzuar nga një lartësi prej rreth dhjetë metrash në truallin e ndërtesës. Të dy kanë pësuar lëndime të rënda dhe janë në trajtim mjekësor.

Në lagjen në fjalë po dëgjohen dyshime se burri është hedhur me qëllim nga dritarja. Gjithashtu po flitet se rrëzimit i ka paraprirë një zënkë e ashpër. Policia zvicerane është duke hetuar në të gjitha drejtimet, shkruajnë mediat vendore.

Aktualisht, Prokuroria e Solothurnit, rrëzimin e ka vlerësuar si përpjekje për vrasje.
Ndaj babait dyzetvjeçar kanë filluar hetimet. Dyshohet se së bashku me të bijën ka dashur të vetëvritet. Në rast të ndonjë dënimi, atij i kërcënohen disa vite burg.

Sipas banorëve, javën e kaluar policia i ka kërkuar çelsat e banesës, ku ka qëndruar rreth dy orë. Më pas, brava e derës është ndërruar dhe ajo tani jepet me qera nga 01 korriku i këtij viti. Pas kësaj ngjarje të rëndë, nëna nuk është parë më nga askush

Artikulli paraprakSHQIPTARI QË PËRDHUNOI INFERMIEREN DËNOHET ME 7 VJET BURG
Artikulli tjetërSHQIPËRI, ÇDO 5 DITË NDODH NJË VRASJE