Prokuroria e Krimeve të Rënda thirri sot për të marrë në pyetje deputetin e Partisë Demokratike Ervin Salianji lidhur me audio përgjimin në të cilën pretendohet se shfaqet vëllai i ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj në pazare droge.

Pasi disa orësh qendrimi ne Prokurori, deputeti i PD-se Salianji pohoi per gazetaret se ishte pyetur kryesisht për videon e dytë të publikuar, ku shihej Fredi Alizoti. Ai me ironi tha se detajet ndoshta mund ti ketë dhënë edhe prokuroria.

“Kryesisht për videon e publikuar. Aty se isha thirrur përpara se ta publikja videon. Pyetet ishin për publikimin e videos së tyre. Sapo të dalë nga dera, mund ti ketë nxjerr. Do viheni në dijeni të plotë për të gjithë rrethanat e kësaj çështje”, tha ai.

Salianji u paraqit pranë organit të akuzës në orën 09:30, dhe do të merret në pyetje si person në hetim, pasi akuzohet per ‘kallëzim të rremë’.

“Më datë 12.10.2018 i është bërë ftesë për paraqitje shtetasit Ervin Salianji për t’u pyetur si person, ndaj të cilit zhvillohen hetime për veprën penale të “Kallëzimit të rremë” në bashkëpunim”-thuhet nga organi i akuzës.

Në lidhje me këtë çështje, Prokuroria caktoi masat e sigurimit “arrest me burg” për dëshmitarin Albert Veliu i njohur si ‘Babalja’, dhe Fredi Alizotin që thuhet se ka bërë zërin e Agron Xhafajt.

Gjithashtu është caktuar masa “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për gazetarin Jetmir Olldashi për ‘kallëzim të rremë’. Ndërkohë Veliu u arrestua dje në Kosovë.

Nuk dihet nëse organi i akuzës do kërkojë heqjen e imunitetit për deputetin Ervin Salianji, që i hap rrugë më pas caktimit të masës së sigurisë ndaj tij.