BURIME PRANË PROKURORISË BËJNË ME DIJE SE SHUMË SHPEJT PRITET PUBLIKIMI. Ekziston një video e dytë në të cilën shfaqet rrëfimi i Durim Bamit, përpara Tom Doshit, regjistruar në ambientet e zyrës së deputetit të Shkodrës, ish- pjestar i grupit parlamentar të Partisë Socialiste.

Fakti konfirmohet, nga burime të besueshme të hetimit. Fakt ky i pohuar nga Bami gjatë deklarimit të tij për hetuesit, por me një detaj shokues: sipas Durim Bamit, gjatë gjithë rrëfimit të tij të parë, Tom Doshi kishte një pistoletë në dorë drejtuar mbi kokën e dëshmitarit. Bami pretendon se e gjithë historia e atentatit ka qenë një sajesë e porositur nga vetë deputeti socialist, i cili i ka dhuruar djalit nga Fushë-Kruja edhe një makinë të blinduar. Edhe perdorimi i pistoletes sipas Bamit ishte pjese e inskenimit. Sipas rrëfimit në Prokurori, idea fillestare e Tom Doshit ishte të tregonte se Bami kishte pranuar planin kriminal i detyruar nga pistoleta që mbante në dorë politikani. Kjo video e parë duket se është regjistruar në fund të gushtit ose në ditët e para të shtatorit të vitit 2014. Durim Bami ka treguar se vetë Tom Doshi e ka cilësuar skenën me pistoletë në dorë: “jo shumë të besueshme”, dhe kështu ka organizuar një regjistrim të video të dytë në muajin tetor. Eshtë pikërisht ajo video e dytë që Tom Doshi e ka postuar në Facebook pak ditë më parë dhe që tashmë është edhe në dorë të Prokurorisë. Deri tani, video e parë me pistoletë nuk është gjetur ende dhe autoritetet po hetojnë për këtë çështje. Sipas Durim Bamit, video e parë ishte në të njëjtën USB ku Doshi ka ruajtur edhe videon e dytë të publikuar tashmë. Po sipas dëshmisë së tij në Prokurori, vetëm në videon e dytë ai ka përmendur Ilir Metën, si porositësi i atentatit kundër dy deputetëve. Bami pretendon se përfshirja e emrit të Metës është bërë për ti vendosur një gjobë kreut të Kuvendit. Bami 36 vjeç nga fshati Zezë i komunës së Niklës në Krujë, i arrestuar tashmë nga Prokuroria me akuzën e “Vrasjes së mbetur në tentativë ndaj zyrtarëve të lartë dhe funksionarëve publikë”, ndodhet në ambientet e izolimit të Drejtorisë së policisë së Tiranës, ndërsa ende nuk është transferuar në paraburgim.

Artikulli paraprakVOLEJBOLL, VLLAZNIA HUMBET NË SETIN FINAL
Artikulli tjetër8 MARSI ËSHTË NJË HISTORI FEMËRORE E GJATË NJË SHEKULLI