Ndër objektet që do të shemben pasi janë në gjurmët ku do të kalojë projekti i Unazës së Madhe është edhe ai i Nexhmije Hoxhës, të vesë së ish diktatorit Enver Hoxha.

Ajo jeton në një banesë dy katëshe e kohës së komunizmit.
Vetë Nexhmije Hoxha nuk pranoi të fliste për mediat. Madje as të afërmit e saj nuk pranuan të japin koment, edhe pse dje e veja e diktatorit e konsideroi veprimin si fashist.

Kjo pasi familjeve që preken nga procesi nuk u është siguruar strehimi
Nexhmije Hoxha jeton në këtë shtëpi që prej vitit 1994. Kati i dytë i kësaj banese ka qenë streha e saj pas largimit nga ish Blloku. Këto ndërtesa më parë kanë qenë godina të ish reparteve ushtarake dhe ish pularisë, dhe banorët një pjesë i kanë privatizuar.

Nga projekti i unazës së madhe, që pritet të prishë 317 objekte nuk kursehen as këto godina. Jashtë kamerës banorët shprehen se ishin lajmëruar shumë vonë për vendimin dhe sipas tyre, ajo se çfarë po bëhet është e padrejtë.

Një ditë më parë Kreu i ARRSH-së, Qendro u shpreh se familjet që kanë dokumente pronësie do të dëmshpërblehen ndërsa 163 objektet që janë në proces legalizimi do të skualifikohen. Familjet që jetojë në to do të përfshihen në projektet e strehimit të bashkisë së Tiranës

 

Në projektin e ri parashikohet që unaza e re të jetë me tre korsi në të dy senset dhe me shpejtësi të lejuar deri në 80 km në orë. Po ashtu në zonën e Astirit parashikohet një nënkalim. Për të lehtësuar qarkullimin në urën e Lanës parashikohen dy nivele kalimi.

Dhe dy nënkalime të tjera përgjatë Lanës . Një ndryshim të plotë do të ketë dhe sheshi Shqiponja e cili do të jetë me Tre nivele kalimi. Aktualisht në të qarkullojnë 4000 mjete ne orë nga 2 mijë që lejohet.