Të gjithë sektorët kryesorë të ekonomisë së vendit, si dhe konsumatorët duket se kanë perceptim krejtësisht të kundërt me notat pozitive – të certifikuara edhe nga ndërkombëtarët – të ecurisë së Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Ndërkohë që ritmet e rritjes së PBB-së janë tanimë mbi 4 për qind, me ritmin më të lartë në këto 9 vitet e fundit dhe papunësia, madje, shënon nivelin më të ulët të gjithë periudhës pas vitit 1990,

ndjesia ekonomike e bizneseve të anketuara nga Banka e Shqipërisë dhe e konsumatorëve është në rënie.

Besimi i konsumatorëve, ndërtuesve dhe tregtarëve kanë rënë edhe më poshtë se mesatarja historike, ndërkohë, nga ana tjetër, pavarësisht tendencës rënëse, në industri e shërbime kurba mbetet gjithnjë mbi mesataren historike.

Treguesi i besimit në ekonomi ka thelluar rënien në tremujorin e tretë. Banka e Shqipërisë raportoi dje se Treguesi i Besimit në Ekonomi (TNE) rezultoi në vlerën 102.1,

duke shënuar një rënie me 4 pikë gjatë tremujorit të tretë të vitit 2018. Me gjithë këtë zhvendosje, TNE vazhdon të qëndrojë mbi mesataren e tij afatgjatë

Industria

Treguesi i besimit në industri (TBI) rezultoi 0.1 pikë përqindje poshtë nivelit të shënuar një tremujor më parë. Megjithatë, TBI-ja vijon të mbetet 6 pikë përqindje mbi mesataren historike të tij.

Por prodhimi dhe kontratat porositëse, u rritën me përkatësisht 4.6 dhe 1.1 pikë përqindje. Edhe balancat e tjera si gjendja financiare dhe pritjet për ecurinë e prodhimit rezultuan të përmirësuara.

Në të kundërt, balancat e kontratave porositëse nga eksportet dhe pritjeve për punësimin në tremujorin e ardhshëm vijuan të bien në tremujorin në analizë.

Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve qëndroi rreth nivelit 74.8%, duke qenë 0.9 pikë përqindje mbi nivelin e një tremujori më parë dhe 1.2 pikë përqindje mbi nivelin e shënuar të njëjtën periudhë një vit më parë. Kjo normë vazhdon të mbetet mbi mesataren historike të saj.

Ndërtimi

Edhe treguesi i besimit në sektorin e ndërtimit (TBN) ra me 1.9 pikë përqindje gjatë tremujorit të tretë, duke vijuar prirjen rënëse të tre tremujorëve të mëparshëm. Kjo tendencë e ka zhvendosur treguesin rreth 9.6 pikë përqindje poshtë mesatares historike të tij.

Dinamika rënëse e TBN-së në këtë tremujor u përcaktua nga rënia e balancës së aktivitetit ndërtues, me 6.2 pikë përqindje. Ndërkohë, balanca tjetër përbërëse e treguesit, kontratat porositëse, u rrit me 2.3 pikë përqindje.

Edhe balancat e punësimit dhe të pritjeve për të në tremujorin e ardhshëm shënuan rritje në tremujorin në analizë. Lehtësisht me rënie rezultuan balanca e gjendjes financiare dhe norma e shfrytëzimit të kapaciteteve.

Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve ra me 0.2 në terma tremujorë dhe me 2.0 pikë përqindje në terma vjetorë. Niveli i saj prej 60.2% mbetet 3.7 pikë përqindje nën mesataren historike.

Shërbimet

Po kështu, treguesi i besimit në sektorin e shërbimeve (TBSH) vazhdoi të bjerë edhe gjatë tremujorit të tretë, me përkatësisht 3.2 pikë përqindje. Megjithatë, treguesi qëndron rreth 4.8 pikë përqindje mbi mesataren historike të tij.

Niveli më i ulët i TBSH-së u ndikua nga rënia e të dyjave balancave formuese të tij, me përkatësisht: 4.2 pikë përqindje balanca e ecurisë së biznesit dhe 2.2 pikë përqindje balanca e kërkesës.

Rënie shënuan edhe balancat e punësimit dhe pritjeve për të në tremujorin e ardhshëm. Balanca të tjera të vrojtimit, si gjendja financiare dhe pritjet për kërkesën në tremujorin e ardhshëm rezultuan të përmirësuara.

Tregtia

Treguesi i besimit në sektorin e tregtisë (TBT) vijoi gjithashtu të bjerë gjatë tremujorit të tretë. Rënia e TBT-së me 5.3 pikë përqindje e zhvendosi treguesin nën mesataren historike të tij.

Kjo dinamikë tremujore e TBT-së u përcaktua kryesisht nga rënia e balancës së ecurisë së biznesit, me 8.4 pikë përqindje, dhe në një masë më të vogël nga rënia e balancës së pritjeve për ecurinë e punësimit në tremujorin e ardhshëm me 2.2 pikë përqindje.

Në të kundërt, balanca të tjera të vrojtimit si gjendja financiare, punësimi në tremujorin në analizë dhe pritjet për ecurinë e biznesit në tremujorin e ardhshëm rezultuan të përmirësuara.

Konsumatorët

Treguesi i besimit konsumator (TBK) ka qenë gjithashtu në rënie, por e zbuti dinamikën rënëse gjatë tremujorit të tretë. Treguesi ra me 0.7 pikë përqindje dhe rezulton i zhvendosur rreth 0.8 pikë përqindje nën mesataren historike të tij.

Rënia e TBK-së pasqyroi kryesisht rënien e balancës së blerjeve të mëdha, me 5.4 pikë përqindje. Treguesi u ndikua në kahun rënës edhe nga balanca e situatës financiare të pritur të familjes,

e cila rezultoi lehtësisht më e ulët, me rreth 0.1 pikë përqindje, se vlera e një tremujori më parë.

Ndërkohë, dy komponentët e tjerë përbërës të TBK-së, balanca e situatës së të ardhurave dhe shpenzimeve dhe situatës së përgjithshme ekonomike të pritur në vend u rritën me përkatësisht 2.3 dhe 0.4 pikë përqindje.