Banorët e kabinave të plazhit në protestë, kërkojnë privatizimin

Familjet që ende banojnë në ish-kabinat e plazhit të Durrësit protestuan këtë të hënë para Bashkisë së qytetit, për të kërkuar privatizimin e objekteve ku jetojnë prej vitesh. “I jemi drejtuar kryeministrit, kryetarit të bashkisë dhe instancave të tjera, por nuk kemi marrë përgjigje që nga viti 2009, kur u vendos që të privatizohen ish-kabinat e plazhit. Kërkojmë rrugëzgjidhje, pasi kemi 27 vjet që jetojmë në këto objekte shtetërore. Kemi paguar qeranë, dritat dhe ujin, ndaj presim një përgjigje”, tha një banor. “Kërkojmë shtëpitë, banesat ku jetojmë prej 30 vjetësh, ndërkohë që kemi dhe statusin e të pastrehëve. Do të përshkallëzojmë protestën tonë si para bashkisë, ashtu dhe deri në bllokim të rrugës së plazhit”, u shpreh një tjetër. Në vitin 2009, me një vendim të Këshillit Bashkiak u miratua fillimi i procedurave të privatizimit për afro 500 familje të strehuara në ish-kabinat e pushimit me vendime të Komitetit Ekzekutiv Pluralist, që funksiononte në vitin 1991. Me statusin e të pastrehëve, një pjesë e këtyre familjeve kanë përfituar nga banesat sociale, por të tjerat mbeten nën presionin e humbjes së shtëpisë, për shkak se zona e plazhit mbetet e lakmuar dhe pjesë e procesit të kthim-kompensimit të pronave, që i përjashton ato nga e drejta për privatizim. Në Bashkinë e Durrësit bëjnë të ditur se i gjithë procesi për familjet që jetojnë në ish-kabinat e plazhit është ndjekur nga Enti Kombëtar i Banesave.

Artikulli paraprakPARKU I DIVJAKËS, 4 ORGANIZATA THIRRJE QEVERISË: MOS LEJONI NDËRTIME
Artikulli tjetërBRITANIA NË ALARM NGA TERRORIZMI: 23 MIJË TË IDENTIFIKUAR SI TERRORISTË NË GJITHË VENDIN