Pavarësisht deklaratave të ministrit Saimir Tahiri dhe prefektit të Shkodrës Paulin Radovani se do të të fillojnë procedurat për dëmshpërblimin e familjeve në zonën e “Livadeve” të Shkodrës, këta të fundit kanë dalë sërish në protestë.

Ata kërkojnë dëmshpërblimin e banesave, ndërsa argumentojnë se premtimet që janë bërë përfshijnë vetëm përfitimet që u takojnë për tokat bujqësore. Thirrja ishte edhe për kreun e Bashkimit Sindikatave të Pavarura Albert Tukën që t’i mbështesë në këtë nismë. Banorët kërkojnë që çështja të diskutohet në parlament, pasi në të kundërt zgjidhjen e gjejnë tek përshkallëzimi i protestave. Janë 194 familje në lagjet e “Livadeve” të Shkodrës, të cilat kërkojnë dëmshpërblimet për tokat bujqësore dhe dëmtimet në banesa gjatë përmbytjeve të viteve 2010-2011. Sipas tyre, shumat që kanë marrë deri tashmë janë nga 18 mijë lekë të reja si masë shpërblimi.