Temperaturat e ulëta në kryeqytet nuk penguan banorët e Astirit ti qëndrojnë strikt kauzës së tyre për mbrojtjen e banesave.

Ora 17:00 i gjeti në Unazën e Re, ku si çdo pasdite bllokuan qarkullimin për një orë.Banorët denoncuan se edhe pse prokuroria ka nisur hetimet për aferën te Unaza, vijojnë tu vijnë njoftime që të lirojnë banesat.

Me paralajmërimin për qeverinë që të mos guxojnë të hyjnë në Unazë të Re për prishje banesash, banorët patën një thirrje edhe për kryebashkiakun Veliaj që të kthejë ndriçimin për zonën.

Banori: Projekti në Unazë të Re ka dalë korruptiv dhe me sa di unë prokuroria ka nisur një hetim. Jo më larg se sot ka ardhur në letër për prishje, brenda 10 ditëve i kanë thënë një komshiu tonë që ti duhet të lirosh banesën. Në çdo vend të botës kur merret në hetim një projekt duhet të ndalohet aty, jo të çojnë letra për prishje.

Zbatoni ligjin se do të shkoni të gjithë në burg.Mos tentoni për të hyrë në Unazë të Re se do të shkoni në burg se keni shkelur ligjin. Nuk mbuloni dot krimin që doni të bëni në Unazë të Re.

Në Unazë të Re duhet të vihen shiritat zonë krimi sepse u tentua për të vledhur 10 mln euro. Kryetari të bashkisë i them, vër ndriçimin në Unazë të Re, silli pemët ku i hoqe se nuk tërhiqemi. Do të tërhiqemi vetëm ditën kur ti do të vendosësh që atë projekt nuk do ta bësh më në Unazë të Re, atëherë do ta lëmë rrugën.

Do tu përgjigjemi me çfarëdo lloj mënyre, do ta kërkoni me të mirë, me të mira do ta keni, do ta kërkoni me dhunë, me dhunë do ta keni. Mos ushtroni dhunë ndaj banorëve se do të lini kockat këtu!

Banorët hodhën akuza dhe ndaj komisariatit numër 6.
Banori: Zyrat e komisariatit numër 6 nuk janë zyrat e PS, ato janë zyrat e popullit. Të japin shpjegim se për çfarë qytetarët i shoqërojnë nëpër komisariate, për çfarë u bëjnë presion qytetarëve natën me makina me xhama të zi, për çfarë i kapin çunat e vegjël dhe i fusin nëpër biruca, për çfarë u bëjnë presion nënave tona për të mos dalë fëmijët e tyre në protestë?

Ne do të dalim këtu se po mbrojmë shtëpinë tonë, gjakun tonë. Kemi 62 ditë që kemi dalë, nuk tërhiqemi dhe 6 vjet e dy muaj prapë këtu do të jemi derisa të tërhiqet kjo qeveri e korruptuar.

Edhe deputeti demokrat, Klevis Balliu, apeloi policinë që të jetë në krah të banorëve.

Klevis Balliu: I bëj thirrje të gjithë organeve të policisë së shtetit le ti dalin në mbrojtje këtyre qytetarëve.Nuk kanë pse qytetarët të përplasen me shofera, të përplasen me provokatorë të qeverisë. Të vijë policia këtu dhe të mbajë gardhin përsa kohë këtu ka protestë.

Këtu ka protestë çdo ditë 5-6, deri ditën që anulohet ky projekt mafiozësh.Të mbrojë qytetarët dhe shtëpitë e tyre. Ka ardhur koha që policia të bëjë detyrën e vet, jo çdo polic është i korruptuar, kemi respekt për punën dhe sakrificën e tyre.

Por jo çdo urdhër i një të marri i lidhur me krimin e organizuar mund të zbatohet. Ka ardhur koha që të gjithë të bashkohemi dhe ta shporrim një herë e mirë.

PUBLICITET