Dy familje me 15 anëtarë, prej mëngjesit të sotëm protestojnë dhe nuk pranojnë të dalin nga një ndërtesë dy katëshe në rrugën “Petro Nini Luarasi” në Tiranë, që prej 60 vitesh është kthyer në shtëpinë e tyre.

Janë lajmëruar ditën e djeshme për të liruar ndërtesën pasi me një vendim gjykate të formës së prerë, tokës ku është ndërtuar godina i kanë dalë pronarët.

Banorët bënë qëndresë. Fillimisht u shtrinë në mes të rrugës duke bllokuar gjithë qarkullimin e mjeteve, më tej u futën në banesë duke mbyllur portën kryesore, dhe duke mos lejuar Përmbarimin të ekzekutojë vendimin e Gjykatës.

Disa prej familjarëve të përfshirë në përplasje u shoqëruan në polici, ndërsa të tjerë, me ambulancë për në spital si pasojë e gjendjes së vështirë shëndetësore që kaluan nga përshkallëzimi i situatës.

Banorët pretendojnë se pronarët e tokës, i kanë premtuar se do t’i japë disa banesa, por asnjë hap nuk është marrë.

Punonjësit e përmbarimit kanë tentuar të futen me forcë në ambientet e shtëpisë duke qëlluar derën me shufra hekuri në sy të disa fëmijëve.

Në këtë moment policia nuk ka bërë asnjë reagim, gjë për të cilën është kritikuar edhe nga ministri Sandër Lleshaj i cili ka deklaruar se policia ka detyrim ligjor të mbështesë përmbarimin dhe të tregohet efikase.

Të njëjtin qëndrim mbajti edhe kryeministri Edi Rama, i cili tha se qeveria nuk mund të dalë mbi një vendim gjykate të formës së prerë, dhe se policia e ka detyrim ligjor t’i përgjigjet Përmbarimit.

Nga ana tjetër, avokati i banorëve është shprehur se për këtë akt nuk ka asnjë vendim gjykate.

Artikulli paraprakSHKODËR, “28 NËNTORI” E ZHGËNJYER PËR ÇMIMIN E TEATRIT
Artikulli tjetërARRESTOHEN DY DJEM DHE NJË VAJZË SHQIPTARE, KALUAN DROGËN NGA MALI PËR NË GREQI