Në fshatin Oblikë të njësisë Administrative Ana e Malit banorët ankohen për numrin e lartë të qenve, për të cilët kërkojnë marrjen e masave urgjente nga institucionet përgjegjëse.

Banorët deklarojnë se qentë futen nga shtetas të ndryshëm malazez përmes pikës së kalimit kufitar të Muriqanit. Ata thonë se kanë qënë dëshmitarë në disa raste kur mjete me targa malazeze i hedhin qentë tek Ura e Oblikës dhe largohen

Të mbledhur në grupe qentë po kthehen në rrezik për shëndetin e qytetarëve. Sëmundjet kryesore tek qentë e rrugës janë ato të lëkurës, të cilat mund të transmetohen edhe te njerëzit nëpërmjet mushkonjave sidomos tani kur jemi në prag të verës. Në këto kushte alternativë e vetme është trajtimi i tyre, vaksinimi dhe sterilizimi ose hapja e qendrave për strehim.